Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka mësuar kundërshtarët për edicionin e tretë të Ligës së Kombeve, ndërsa është në kërkim të dy kundërshtarëve për ndeshje miqësore në muajin mars. Por, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ende nuk është përcaktuar se kush do ta drejtojë Përfaqësuesen e futbollit, ndonëse interesimi është thënë të jetë i madh. KOHA ka mësuar të mërkurën se ndër kandidatët që kanë bërë kërkesë në adresë të FFK-së për ta marrë drejtimin e Kosovës janë dy ish-përzgjedhës, ai i Italisë, Roberto Donadoni, dhe i Polonisë, Adam Nawalka.
“Donadoni dhe Nawalka kanë aplikuar, por Federata është duke shqyrtuar çdo kërkesë që i ka ardhur në adresë të saj”, ka thënë shkurt një zyrtar i FFK-së në kushte anonimiteti të mërkurën për KOHËN.
Donadoni, 58-vjeçar, së fundi ka drejtuar skuadrën kineze Shenzhen, ndërsa nga viti 2006 deri në vitin 2008 ka qenë përzgjedhës i Italisë. Ai ka drejtuar edhe shumë skuadra në Itali. Ka qenë trajner i Leccos, Livornos, Genoas, Napolit, Cagliarit, Parmas dhe Bolognas. Ndërkohë Nawalka, 64-vjeçar, së fundi ka drejtuar klubin polak Lech Pozhnan, derisa nga viti 2013 deri në vitin 2018 drejtoi Poloninë. Nën drejtimin e Nawalkas, Polonia për herë të parë u kualifikua në “Euro 2016” dhe po ashtu ai ishte i pari që udhëhoqi drejt çerekfinales së Evropianit. Për Poloninë ishte ky një sukses historik. Po ashtu, Polonia nën drejtimin e tij u kualifikua direkt në Kampionatin Botëror të vitit 2018, që u mbajt në Rusi. Ai ka udhëhequr edhe disa skuadra të ndryshme polake.
“Bëhet fjalë për dy trajnerë të suksesshëm, por ende nuk ka asnjë vendim nga presidenti i FFK-së”, ka theksuar, ndër të tjera, burimi i KOHËS.
KOHA ka pyetur edhe kryetarin e FFK-së, Agim Ademi, të mërkurën rreth vendimit për përzgjedhës. Por kryetari Ademi ka thënë se nuk mund të flasë, me arsyetimin se është në një takim në Francë. Megjithatë, ai më herët ka theksuar se janë të kënaqur me numrin e trajnerëve që kanë aplikuar për shefin e shtabit teknik. Muajin e kaluar Kosova mësoi kundërshtarët për edicionin e tretë të Ligës së Kombeve. Kosova tani luan në Ligën C, që është niveli i tretë. Liga e Kombeve është garë e re e Konfederatës Evropiane të Futbollit (UEFA). Kosova është pjesë e grupit të dytë të Ligës C së bashku me Greqinë, Irlandën e Veriut dhe fituesin e ndeshjeve mes Qipros e Estonisë. Kosova nuk ka pasur rezultate të mira gjatë vitit 2021. Ka mbetur e fundit në grupin kualifikues për Botërorin 2022 pas Spanjës, Suedisë, Greqisë e Gjeorgjisë. Në mungesë të rezultateve Kosova shkarkoi përzgjedhësin Bernard Challandes dhe ndeshjen miqësore ndaj Jordanisë dhe atë kualifikuese për botërorin “Katari 2022” ndaj Greqisë e udhëhoqi ndihmësi i Challandesit, slloveni Primozh Gliha. Gliha është kandidat për ta vazhduar punën te Kosova, ndërsa në opsion për këtë post janë edhe legjenda e Holandës, Marco van Basten, dhe gjermani Felix Magath. Më herët është njoftuar se në fillim të këtij viti do të bëhet një listë e ngushtë prej të gjithë kandidatëve që kanë aplikuar, përpara se drejtuesit e FFK-së t’i fillojnë negociatat. Ndër emrat e tjerë të përfolur si kandidatë janë edhe disa të tjerë. Por më të përfolurit janë Gliha, Van Basten dhe Magath.
“Ende nuk jemi përcaktuar për selektorin e ri, por sigurisht se do të jetë një emër që do t’i përshtatet ekipit tonë. Pritjet sigurisht që i kemi më të mëdha, pra të arrijmë të fitojmë grupin dhe të arrijmë rezultate më të mira në kualifikimet për Evropian”, pati thënë më herët për KOHËN kryetari Ademi.
Pas ndeshjeve të Ligës së Kombeve, Kosova kualifikimet e rregullta për Evropianin e vitit 2024 do t’i zhvillojë nga marsi i vitit 2022 deri në nëntor të vitit 2023.