Ish-Presidenti Donald Trump paraqitet sot sërish në gjyqin ndaj Organizatës Trump, drejtuesit e së cilës akuzohen se kanë gënjyer në dokumentet financiare të bankave, duke e rritur vlerën e kompanisë në miliarda dollarë për të përfituar kushte më të mira për kreditë.
Zoti Trump i ka mohuar të gjitha akuzat. Gjatë një fjalimi fushate në Nju Hempshër, zoti Trump të hënën e krahasoi veten me aktivistin kundër apartaedit dhe ish-Presidentin e Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, duke u përpjekur ta paraqesë veten si një viktimë politike të prokurorëve federalë dhe shtetërorë që kanë ngritur akuza ndaj tij. Ai gjithashtu kritikoi qasjen e Presidentit Biden ndaj zhvillimeve në Lindjen e Mesme.
Michael Cohen, i cili më parë ka qenë avokat i ish-Presidentit Trump, pritet të dëshmojë sot kundër shefit të tij të vjetër si një dëshmitar kyç në gjyqin që kërcënon të dëmtojë kompaninë e tij të pasurive të paluajtshme dhe imazhin e tij të një ish-Presidenti të pasur. Ai ka thënë se përballja me ish-Presidentin Trump në gjykatë, do të jetë hera e parë në pesë vjet që ai do ta shohë nga afër ish-shefin e tij. Zoti Trump pritet të dëshmojë më vonë në gjyqin që po zhvillohet në Nju Jork, ku deri më tani, prania e tij në sallë ka qenë vullnetare.
Gjatë një fjalimi fushate mbrëmë në Nju Hempshër, Ish-Presidenti Trump e krahasoi veten me aktivistin e anti-aparteidit Nelson Mandela, duke thënë se ai është viktimë e prokurorëve federalë dhe shtetërorë, që ai pretendon se e kanë vënë në shënjestër atë dhe bizneset e tij për arsye politike.
“Nuk e kam problem të jem Nelson Mandela, sepse po e bëj këtë për një arsye. Ne duhet të shpëtojmë vendin tonë nga këta fashistë, këta të çmendur me të cilët duhet të merremi. Ata janë njerëz të tmerrshëm dhe po shkatërrojnë vendin tonë”, tha ish-Presidenti Trump para një grumbulli të mbështetësve të tij në një kompleks sportiv në qytetin Deri.
Ish-Presidenti i Afrikës së Jugut Nelson Mandela ka vuajtur një dërnim me 27 vjet burg për aktivitetin e tij kundër sistemit të aparteidit, për të cilin është nderuar me çmimin Nobel për Paqen.
Zoti Trump kritikoi Presidentin Joe Biden për mënyrën se si e ka menaxhuar sulmin e Hamasit ndaj Izraelit dhe u zotua të ndërtojë një sistem të mbrojtjes nga raketat në Shtetet e Bashkuara, të ngjashëm me sistemin izraelit “Iron Dome”.
“Unë ju premtoj se si president, do të rivendos paqen me forcë dhe do të parandalojmë fillimin e Luftës së Tretë Botërore. Unë i njoh të gjitha palët. Dobësia që Presidenti Joe Biden tregoi me Iranin dhe të tjerët shkaktoi sulmin ndaj Izraelit. Kjo është shumë e thjeshtë, ata nuk do ta kishin sulmuar kurrë Izraelin, nëse unë do të isha President.”
Ish-Presidenti Trump i bëri komentet pasi dorëzoi personalisht dokumentet për t’u regjistruar për zgjedhjet paraprake në shtetin Nju Hempshër.
Në publik, Shtetet e Bashkuara kanë theksuar të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, por dy burime të njohura me këtë çështje thanë se Shtëpia e Bardhë, Pentagoni dhe Departamenti i Shtetit kanë shtuar thirrjet private në bisedat me izraelitët për të shtyrë ofensivën tokësore. Përparësi kryesore për Shtetet e Bashkuara është të fitojë kohë në negociatat për lirimin e pengjeve të tjerë.
I pyetur për mundësinë e një armëpushimi mes Hamasit dhe Izraelit, Presidenti Biden tha: “Ne duhet t’i lirojmë pengjet dhe pastaj mund të flasim”.