Prokuroria e Tiranës ka marrë zyrtarisht të pandehur ish sekretarin e Përgjithshëm të ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, nën akuzën ë shpërdorimit të detyrës.
Gjokutaj së bashku me zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Financave akuzohen se firmosën dokumente për t’i kaluar 1.2 milionë euro kompensim qytetarit Ilir Thana, të cilin e trajtuan si ish-pronar, pa qenë i tillë.
Gjithçka lidhet me një magazinë që shteti ia shiti Thanës në vitin 1992, por Komisioni i Kthimit të Pronave ia mori 3 vite më vonë për t’ia kaluar pronarëve të vërtetë, duke e dëmshpërblyer me këste me vlerën e pronës sipas çmimit të tregut.
Nga hetimet, u zbulua se ministra e Financave ishte duke dëmshpërblyer për herë të dytë Ilir Thanën për një magazinë dhe ky dokument ishte firmosur nga sekretari I Përgjithshëm Arlind Gjokuta. Sipas dosjes së prokurorisë nënvizohet se Gjokutaj, ishte në dijeni të mashtrimit ndaj shtetit.
Në kohën kur u zbulua Ministria e Financave kishte kaluar 480 milionë lekë që si këst të parë në emër të qytetarit. Edhe ndaj Ilir Thanës është komunikuar akuza për mashtrim me pasojë të rënda, ndërsa përmbaruesit Alban Rulit i është shpallur akuza e shpërdorimit të detyre dhe kryerje të veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës.
Ish zyrtari i ministrisë së Financave u hetua nën masën e arrestit të shtëpisë, pas problemeve shëndetësore të shfaqur fill pas arrestimit.