Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, ka thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të dërgojë më shumë trupa përgjatë Detit të Zi, në Bullgari dhe Rumani, për ta frenuar agresionin e mundshëm nga Rusia, në kohën kur tensionet mes Moskës dhe Uashingtonit janë shtuar.
Esper, tani pjesë e Institutit McCain për Lidership Ndërkombëtar në Universitetin Shtetëror të Arizonës, tha: “Unë mendoj se ne duhet të vazhdojmë të qëndrojmë përballë Rusisë dhe të përpiqemi ta frenojmë sjelljen e tyre të keqe.”
Në një intervistë për agjencinë Reuters, Esper gjithashtu tha se Uashingtoni duhet t’i sigurojë aleatët evropianë dhe duhet ta fuqizojë NATO-n duke dërguar më shumë forca në Poloni, në Baltik, dhe në vendet si Rumania dhe Bullgaria. Sipas tij, nëse jo në mënyrë të përhershme, trupat duhet të vendosen me rotacion.
Presidenti amerikan, Joe Biden, i bëri thirrje homologut të tij rus, Vladimir Putin, që t’i ulë tensionet e nxitura nga grumbullimi i trupave ruse afër kufirit me Ukrainën dhe propozoi një samit për diskutimin e mosmarrëveshjeve, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Rusia e aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014, ndërsa luftimet në Ukrainën lindore janë shtuar javët e fundit, ku forcat qeveritare po përballen me separatistët e përkrahur nga Moska. Ukraina thotë se në këtë konflikt janë vrarë rreth 14.000 njerëz.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara njoftuan të martën se do t’i shtojnë trupat në Gjermani në valën e fundit të tensioneve me Rusinë për Ukrainën, duke u tërhequr nga plani i ish-presidentit Trump për largimin e rreth 12.000 ushtarëve amerikanë nga ekonomia më e fuqishme evropiane.