Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka njoftuar sot në mbrëmje vdekjen e një prej figurave më të njohura, por edhe të diskutuara të ushtrisë ukrainase në Donbas.
Bëhet fjalë për 27-vjeçarin Dmytro Kotsyubailo, i njohur nga të gjithë si “DaVinci”. Pavarësisht nga mosha e re, “Da Vinci”, djali nga rajoni i Ivano-Frankivsk në perëndim të vendit, kishte arritur të komandonte një batalion të vetin, të quajtur pikërisht “Ujqërit e Da Vincit”, pasi kishte hyrë në ushtrinë ukrainase si vullnetar në vitin 2014.
“Një vullnetar, një njeri kurajoz, simbol, nga 2014 mbron pavarësinë dhe dinjitetin e popullit tonë”, ishin fjalët e Zelenskit, që në 2021 i kishte dhënë atij titullin “Hero i Ukrainës”, një nga më të rinjtë që kanë marrë atë titull ende në jetë.
Ai vendim shkaktoi edhe polemika, veçanërisht nga pjesa rusofile, që akuzoi Kotsyubailon për idetë e tij të së djathtës ekstreme, si një nga liderët e nacionalistëve të Pravyi Sektor.
Da Vinci, që mori emrin nga dëshira e tij për të qenë aktor, sipas ushtrisë së Kievit ka rënë në një betejë në afërsi të Bakhmutit, për momentin fronti më i nxehtë i luftës në Ukrainë, me qytetin pothuajse të rrethuar nga forcat ruse që kontrollojnë dhe një pjesë të qendrës dhe me Kievin që nuk do të braktisë pozicionet e veta.
Një vendim i zyrtarizuar edhe sot nga Zelensky, që madje deklaroi se do të dyfishonte numrin e ushtarëve në atë qytet tashmë të shkatërruar, por që përfaqëson për të dy palët tashmë një simbol tejet të rëndësishëm, një ogur për fatin e kësaj përballje gjakatare në mes të Europës.