Agjentët e maskuar të Ministrisë së Sigurisë së Brendshme të SHBA-së (DHS) arrestuan shtetasen turke dhe doktoranten në Universitetin Tufts, Rumeysa Ozturk (30), në Massachusetts, pa ndonjë shpjegim paraprak.
Avokatja e saj, Mahsa Khanbabai, deklaroi se autoritetet refuzuan të ofrojnë informacion mbi statusin e saj aktual dhe vendndodhjen.
Ozturk, e cila kishte një vizë të vlefshme studimi F-1, u ndalua në Somerville ndërsa po shkonte për iftar. Një video e arrestimit tregon gjashtë persona të paidentifikuar me fytyrat e mbuluara duke i konfiskuar telefonin dhe i vendosën pranga.
“Ne jemi policia”, dëgjohet në video, ndërsa një kalimtar pyet “Pse po fshehni fytyrat?”
Sipas avokates së saj, Ozturk ishte në një bisedë telefonike me nënën e saj kur agentët e maskuar e ndaluan.
“Ne nuk e dimë ku ndodhet dhe nuk kemi arritur të kontaktojmë me të. Deri tani nuk janë ngritur akuza kundër saj”, tha Khanbabai.
Administrata e Universitetit Tufts ka konfirmuar se Ozturk ka qenë studente e tyre, por ka njoftuar se nuk kishte asnjë informacion për arrestimin e saj dhe nuk kishte ndarë të dhëna me autoritetet.
Viza e Ozturk u anulua papritur, pa ndonjë shpjegim. Megjithatë, një zyrtar i lartë i DHS-së më vonë deklaroi se arsyeja e arrestimit të saj ishte “mbështetje për Hamasin”, pa ofruar prova konkrete.
Ozturk ka qenë më parë një nga bashkautorët e një teksti që kërkonte njohjen e “gjenocidit palestinez” dhe tërheqjen e investimeve nga Tufts që ishin të lidhura me Izraelin. Pas publikimit të këtij teksti, emri i saj u shfaq në një listë të kontestuar të Canary Mission, një faqe interneti që shënjon aktivistët pro-palestinezë në SHBA.
Ajo u dërgua në një qendër për deportime në Luiziana. Gjykatësja federale Indira Talwani urdhëroi autoritetet që të mos e transferonin Ozturk jashtë Massachusetts pa një njoftim paraprak prej 48 orësh.
Megjithatë, pavarësisht nga ky ndalim, ICE e transferoi Ozturk në një qendër paraburgimi në Basile, Luiziana, mijëra kilometra larg.
Ndryshe, mijëra u mblodhën në Universitetin Tufts duke bërë thirrje për lirimin e studentes turke.