Komisioni parlamentar i Ligjeve dhe ai për Veprimtarinë Prodhuese e Mjedisin shqyrtuan të martën projektligjin e qeverisë për ndryshimin e ligjit “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, një draft propozimesh që parashikon “one stop shop” për aplikimet me leje dhe shtim kompetencash për Këshillin Kombëtar të Territorit.
Sipas draftit, këtij organi do t’i bashkohet jepet e drejta e zhvillimit të hapësirës ujore të vendit duke i ndryshuar emërtimin në “Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit” (KKTU), si dhe të krijojë një mekanizëm të përshpejtuar për aplikuesit për leje ndërtimi, ku çdo dokument që duhet nga agjencitë dhe institucionet e tjera shtetërore do të sigurohet nga një sekretariat teknik i posaçëm.
KKTU, sipas ndryshimeve, do të miratojë leje dhe autorizime për përdorimin e burimeve ujore, ndërtimin e porteve, ishujve artificialë në det, strukturat mbrojtëse, etj., si dhe hartimi i “Planit Kombëtar të Hapësirës Detare”.
Po ashtu, nën një nen të cilësuar “stimuj zhvillimi” projektligji parashikom “procedura të përshpejtuara apo incentiva zhvillimi për investitorë apo kërkesa të caktuara” në dy raste; investime strategjike dhe zhvillime komplekse brenda brezit bregdetar.
Deputetët e opozitës kundërshtuan ndryshimet duke akuzuar qeverinë dhe mazhorancën se po krijojnë ligje me porosi që u shërbejnë vetëm pak personave.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tha se ligji i zgjeron kompetencat kryeministrit dhe trajton në mënyrë të pabarabartë qytetarin e thjeshtë me investitorin strategjik.
“Olta Xhaçka, ka një trajtim krejt preferencial kur ndërton hotelin 5 milion euro, në tokë të vjedhur me letra të falsifikuara në raport me një qytetar që kërkon të rregulloje nje çati apo një dritare”- tha ai duke iu referuar procedurave të përshpejtuara.
Po ashtu, sipas Bardhit, parashikohet legalizimi i paligjshmërisë dhe shmangia e përgjegjësisë penale për këto kadegori.
Deputetja Dhurata Çupi kërkoi tërheqjen nga rendi i ditës dhe dhënien kohë opozitës për të sjellë propozimet e veta nen për nen për projekligjin, kërkesë që u pranua nga mazhoranca në komisionin e Ligjeve.
Edhe në komisionin për Veprimtaritë Prodhuese dhe Mjedisin pati kundërshti nga opozita. Sipas deputetit Lefter Gështenja projektligji i merr kompetencat pushtetit vendor në ndryshimet e planeve ekzistuese duke forcuar kompetencat e kryeministrit.
“Bashkimi i territorit me ujin lidhet me investimet strategjike që kryeministri të ketë dorë të hekurt edhe në bregdet”- tha ndër të tjera ai.
Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj, mbrojti propozimet si një zgjidhje efikase për të kursyer kohën dhe burimet njerëzore me krijimin e komisariatit teknik që do të zgjidhë çdo leje dhe dokument që duhet për aplikimet në pranë Agjencisë së Zhvillimit të Territorit.
Ndërsa në lidhje me bashkimin e ujit me territorin ajo tha se kjo ishte “racionale”, pasi edhe Këshillin Kombëtar të Ujit e drejton po kryeministri dhe në përbërje ka pak a shumë të njëjtën anëtarë me KKT-në.
“KKTU do të ketë vendimmarrje për hapësirën ujore që lidhen me kërkesat për zhvillim”- tha ajo.
Këshilli Kombëtar i Territorit është organi vendimmarrës që harton dokumentet e planifikimit të territorit dhe vendos për dhënien e lejeve të ndërtimit apo leje zhvillimore në gjithë territorin e vendit.
Me një vendim të kontestuar disa javë më parë Kuvendi i dha këtij organi edhe kompetencat për të vendosur për zhvillimin e strukturave turistike dhe infrastrukturore edhe brenda territorit të Zonave të Mbrojtura.