Islanda po përjeton lëkundje masive sizmike. 2800 tërmete kanë goditur vendin në 48 orë dhe mbu 340 lëkundje janë regjistruar vetëm në orët e fundit duke shkaktuar frikën e një shpërthimi vullkanik. Shumica e lëkundjeve janë ndjerë në gadishullin Rejkjanes në jugperëndim të vendit, ku tërmete të vogla janë ndjerë çdo ditë në tre javët e fundit për shkak të grumbullimit të lavës vullkanike tre milje nën tokë. Çarjet nga aktiviteti vullkanik kanë dëmtuar rrugët në Grindavik.
Një pjesë e banorëve nga ky qytet u lejuan të kthehen përkohësisht në shtëpitë e tyre të hënën për të marrë kafshët shtëpiake apo sendet me vlerë. Mijëra banorëve iu kërkua të premten të evakuohen nga frika se qyteti mund të shkatërrohet nga një shpërthim i pritshëm vullkanik.
Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar përditësoi këshillat e udhëtimit. “Tërmetet dhe treguesit e aktivitetit vullkanik janë rritur mbi nivelet normale në gadishullin Rejkjanes, në jugperëndim të Rejkjavikut” thuhet në njoftimin zyrtar. Gjatë fundjavës, autoriteti rrugor i Islandës njoftoi se të gjitha rrugët ishin mbyllur.
Mediat vendase raportuan se ngjarje të tilla si këto që po vihen re aktualisht në Islandë nuk janë përjetuar në 50 vitet e fundit, kur një shpërthim vullkanik shkaktoi dëme të shumta në qytetin Vestmanejar në ishullin Heimaj. Islanda është një nga rajonet me aktivitet të lartë vullkanik në botë me rreth 30 zona aktive.