Shkrimtari shqiptar me famë internacionale, Ismail Kadare të enjten e 8 qershorit është nderuar me titullin “Qytetar Nderi i Fushë Kosovës”.
Ky titull për Kadarenë u nda nga Kuvendi Komunal si dhe kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha.
Ceremonia e ndarjes së çmimit është mbajtur në Gjimnazin “Hivzi Sulejmani”, derisa Kadare morri pjesë në këtë event bashkë me bashkëshorten e tij po ashtu shkrimtare, Elena Kadare.
Kadareja ka dy ditë që po qëndron në Kosovë dhe ka marrë pjesë në Panairin e Librit “Prishtina 2023”, si mysafir special i këtij edicioni.
Me rastin e vizitës së tij në Panairin e Librit, Kadare është takuar edhe me krerët politikë, përfshirë: Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, kryeparlamentarin Glauk Konjufcën, ministrin e Kulturës, Hajrullah Çekun si dhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën.
Përndryshe, në panairin e këtij vitit po marrin pjesë pothuajse 100 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut si dhe nga diaspora.
Panairin e Librit “Prishtina 2023”, pritet ta vizitojnë rreth 40 mijë vizitorë duke përfshirë studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.
Ky panair përkon edhe me përvjetorë të rëndësishëm që janë shënuar dhe do vazhdojnë të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate, derisa disa prej datëlindjeve të kolosëve letrarë që do të zënë vend, brenda këtij panairi janë, ajo e Ernest Koliqit, Petro Markos si dhe Jakov Xoxës.