Sekretar i Përgjithshëm i PDK-së dhe deputeti, Uran Ismaili ka kërkuar shkarkimin e kryeparlamentarit Glauk Konjufca pasi, siç thotë ai, ka inspiruar e rekrutuar aktivistë të Vëtëvendosjes të “Syrit të Popullit”.
“Glauk Konjufca duhet të shkarkohet sa më parë. Jo për pazare politike, por për faktin se inspiroi dhe rekrutoi aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të “Syrit të Popullit”. Është e papranueshme që ai ta ushtrojë detyrën e Kryeparlamentarit të Kosovës, ndërkohë që aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të “Syrit të Popullit” morën dënimin nga drejtësia kosovare për veprimtarinë e tyre kriminale”, ka shkruar Ismaili në një postim në Facebook.
Ai tutje ka shtuar se, “nuk është çudi që aktivistët e LVV-së themeluan “Syrin e Popullit” dhe krijuan lista për të vrarë figura të ndryshme publike, përfshirë kundërshtarët politikë. Azem Vllasi i shpëtoi atentatit dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të “Syrit të Popullit” u kapën”.
Ai thotë se Vetëvendosje pëgjatë viteve ka përdorur dhunën si mjet politik.
“Lëvizja Vetëvendosje asnjëherë nuk është distancuar nga përdorimi i dhunës si mjet politik. Përkundrazi. Përgjatë viteve, ka përdorur dhunën dhe ka inspiruar edhe të tjerët të veprojnë njësoj. Duke filluar nga protestat me molotovë, gurët ndaj policisë, shkatërrimi i pronës publike e private, djegia e veturave. Sulmi me vezë ndaj civilëve dhe incizimi e publikimi i videove që tregonin këtë akt, që në fakt është teknikë e përdorur nga organizata të ndryshme terroriste, si shpërndarje e idesë së dhunës dhe frymëzim për zgjerimin e saj nga fanatikët e VV-së”, ka shkruar Ismaili.
Sipas tij lista dhe koha e ushtrimit të dhunës nga Lëvizja Vetëvendosje është e gjatë.
“Deri më sot, asnjë distancim prej tyre. Ky është tregues i qartë i mentalitetit të dhunës që ka ushqyer partia e Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës me shokë e shoqe. Në sy të popullit”, ka shkruar Ismaili.
Kujtojmë se edhe Grupi Parlamentar i PDK-së dje ka kërkuar shkarkimin e Konjufcës.