Pak ditë pasi kryeministri Edi Rama shprehu ambicien e fortë për të fuqizuar Flotën Detare të Shqipërisë me një anije patrulluese dhe tre anije luftarake, konfirmohet se Italia do t’i dhurojë vendit tonë një anije të tipit korvetë.
Mësohet se anija korvetë e klasit Cassiopea, që i ka shërbyer marinës ushtarake italiane do të mbërrijë në portin e Durrësit më 8 prill, në orën 09:00 të mëngjesit.
Me rastin e dhurimit të anijes ushtarake nga qeveria italiane për Forcën Detare shqiptare do të zhvillohet edhe një ceremoni.
Në ceremoni pritet të marrë pjesë edhe ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, ndërsa korveta pritet të dorëzohet nën shoqërinë e krenarisë së marinës italiane, Amerigo Vespucci.
Këto lloj anijesh janë më të vogla se shkatërruesit ose fregatat, por janë të pajisura për detyra të ndryshme detare, të tilla si mbrojtja ose mbikëqyrja bregdetare.
Klasi “Cassiopea” është një seri prej katër anijesh patrullimi të marinës ushtarake italiane, të cilat janë ndërtuar në fund të viteve 1980 sipas standardeve civile dhe janë të dizajnuara për patrullim në zona të sigurta.