Autoritetet në Itali kanë dhënë urdhër për izolim gjatë Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri në përpjekje për ta luftuar shtimin e rasteve të koronavirusit.
Shteti i Evropës Jugore do të jetë në zonën e kuqe gjatë festave zyrtare. Dyqanet e produkteve joesenciale, restorantet dhe baret do të jenë të mbyllyra, ndërsa italianët do të kenë të drejtë të udhëtojnë vetëm për të shkuar në punë, për arsye shëndetësore apo ndonjë arsye tjetër urgjente.
Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, tha se ky nuk ishte vendim i lehtë. “Ekspertët tanë ishin seriozisht të shqetësuar se do të ketë rritje të rasteve gjatë Krishtlindjes, prandaj vepruam”, tha ai gjatë një konference për gazetarë.
Italia deri më tani e ka regjistruar shifrëm më të madhe të të vdekurve në Evropë me gati 68.000 viktima, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Masat e reja do të jenë në fuqi në disa periudha: nga 24 dhjetori deri më 27 dhjetor, nga 31 dhjetori deri më 3 janar si dhe më 5 e 6 janar.
SIpas rregullave të reja, njerëzit mund t’i pranojnë në shtëpitë apo banesat e tyre më së shumti dy mysafirë, pa përfshirë fëmijët nën moshën 14-vjeçare. Në fuqi do të jetë edhe ora policore, nga ora 22 deri në 5 të mëngjesit.
Shefi i qeverisë italiane tha se fillimi i fushatës së vaksinimit në fund të dhjetorit do ta shënojë, siç u shpreh ai, fillimin e fundit të këtij ankthi.
Vendimi për masat e reja erdhi pas mosmarrëveshjeve brenda koalicionit qeveritar, ku një pjesë e politikanëve kanë kërkuar izolim të plotë, ndërsa të tjerët kanë këmbëngulur për masa të kufizuara në mënyrë që të ndihmohen bizneset dhe që familjeve t’u mundësohen takimet për festa.