Ambasadori i Italisë në Britaninë e Madhe, Inigo Lambertini, kritikoi revistën britanike “The Economist” për kopertinën e saj kushtuar dorëheqjes së kryeministres Liz Truss, për shkak të përdorimit të stereotipeve “italiane”.
Lajmi u bë i ditur nga gazeta britanike “The Guardian”.
Në kopertinën e “The Economist”, Truss mban një mburojë në formën e një pice të mbushur dhe në vend të një shtize, një pirun makaronash.
Ilustrimi shoqërohet me mbishkrimin “Welcome to Britaly”, ku aludon për shndërrimin e politikës britanike në atë italiane për shkak të ndërrimit të shpeshtë të kryeministrave.
“Leximi i ‘The Economist’ është kënaqësi për çdo diplomat. Dhe, si ambasador italian në Mbretërinë e Bashkuar, aq më tepër që ju i kushtoni vëmendje të vazhdueshme Italisë, kaq të dashur nga britanikët”, shkruan fillimisht diplomati italian.
Sipas tij, ashtu si në rastin e kopertinës së fundit, ajo fatkeqësisht është frymëzuar nga stereotipet e vjetra.
“Megjithëse spageti dhe pica janë ushqimet më të kërkuara në botë, si industria e dytë prodhuese në Evropë, për kopertinën tuaj të radhës ju sugjeroj të bëni një zgjedhje midis sektorëve tanë të hapësirës ajrore, bioteknologjisë, automobilave apo farmaceutikës”, shtoi ai.
Për ambasadorin, cilado qoftë zgjedhja, ajo do të kthejë në qendër një vëmendje më të kujdeshme për Italinë.
Ai i kujtoi edhe admirimin jo aq të fshehtë britanik për modelin italian ekonomik.
Në segmentin italian të rrjeteve sociale, kopertina e revistës britanike u quajt “arrogante” dhe “fyese”.
Kryeministrja britanike Liz Truss njoftoi synimin e saj për të dhënë dorëheqjen.
Mandati i saj në detyrë (45 ditë) u bë më i shkurtri në historinë britanike.
Corriere della Sera
E përditshmja italiane “Corriere della Sera” shkruajti ditën e publikimit “Në fakt mund të argëtohesh nëse do krahasime, mund ta bësh”, duke ju referuar krahasimeve mes dy vendeve.
“Ka paqëndrueshmëri politike (por në Itali kryeministrat zgjasin më shumë se 45 ditë dhe ministrat e ekonomisë janë strumbullar i sistemit dhe garantuesit e stabilitetit, jo personazhe që mund të shkarkohen pas 38 ditësh)”, shkruhet në gazetë.
Ajo vëren se ka rritje të ngadaltë por Italia është eksportuesi i shtatë në botë dhe ruan pjesën e saj të tregut, (ndërsa Britania e Madhe është e katërmbëdhjetë dhe ka parë rënien e shitjeve në tregun e saj të parë – Bashkimin Evropian me 24% në terma nominalë që nga viti 2017, pavarësisht një rënie prej 17% e paundit kundrejt euros).
Do të vazhdojë më tej kritika krahasuese e “Corriere della Sera” duke shkruar se “eksportet britanike janë pak më të larta se ato të Singaporit apo Vietnamit, Mbretëria e Bashkuar është në defiçit të thellë në tregtinë me pjesën tjetër të botës, kështu që ajo e Londrës nuk është më një monedhë me të njëjtin status si dollari apo euro”.
“Nga kjo rrjedh se fuqia e Bankës së Anglisë për të korrigjuar rrëmujën politike duke shtypur para është tani më e kufizuar se ajo e Rezervës Federale ose e Bankës Qendrore Evropiane (në të cilën merr pjesë Italia)”, thekson Corriere.
Sipas saj, pjesa më e madhe e gjendjes së Mbretërisë së Bashkuar sot – brishtësia politike dhe financiare, tonet e ethshme të debatit publik – do të ishte e paimagjinueshme pa vitin 2016.
“Referendumi i Brexit ndryshoi gjithçka. E gjithë kjo nuk ka lidhje me Italinë dhe me asnjë vend tjetër. Bëhet fjalë vetëm për një sistem institucionesh, partish dhe mediash që nuk kanë mundur ta frenojnë këtë fatkeqësi politiko-institucionale”, shtoi botimi italian.
Gazeta kujton se sezoni i populizmit ka prekur pothuajse të gjitha vendet e mëdha të Perëndimit, por në asnjë nuk ka lënë aq dëme sa në Mbretërinë e Bashkuar.
“Tani ajo histori e ndërthurur me gënjeshtra, sovranitet, fantazi madhështie dhe iluzionin e të mos pasurit nevojë për të tjerët, po arrin fundin e rrugës së saj. Dhe në thelb ka një shastisje të thellë kulturore dhe civile të një vendi që shumë në Evropë vazhdojnë ta duan dhe ta admirojnë”, përmbyllet krahasimi i artikujve mes homologëve të gazetarisë.