Italia e ka prerë biletën për fazën tjetër të Kampionatit Evropian në ndeshjen e parafundit në Grupin A.
Të besuarit e Roberto Mancinit e arritën këtë pas fitores 3-0 në sfidën e dytë kundër Zvicrës së shqiptarëve.
Për Zvicrën startuan Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, por nuk lanë gjurmë.
Italia e nisi furishëm ndeshjen dhe që në pjesën e parë tregoi se ka hyrë në fushë vetëm për tri pikë.
Locatelli, mesfushori që kërkohet nga Juventusi, realizoi për 1-0 në minutën e 26-të të ndeshjes, pak minuta pasi VAR-i ia ndaloi golin Giorgio Chiellini.
Italia në pjesën e dytë ishte edhe më e mirë sidomos pas golit të dytë.
Sërish në skenë doli Locatelli. Ai realizoi gol të bukur për 2-0 në minutën e 54’, atëherë kur Zvicra kishte kapur ritmin dhe po bënte diçka më mirë se në pjesën e parë.
Krejt në fund, për 3-0, realizoi Ciro Immobile, në minutën e 89’.
Italia, një ndeshje para fundit në Grupin A, kualifikohet në fazën tjetër të “Euro 2020”. /Gazeta Express/