Një ndeshje e planifikuar në kafaz midis dy liderëve të teknologjisë, Elon Musk dhe Mark Zuckerberg, mund të zhvillohet në Itali, madje duke pasur si temë Romën e lashtë.
Ministri i Kulturës i Italisë tha të premten se ai kishte folur me zotin Musk për organizimin e përballjes si një ngjarje bamirësie.
Drejtorët ekzekutivë miliarderë të Tesla dhe Meta (ish-Facebook) kanë nxitur njëri-tjetrin në luftë që nga qershori. Nëse realizohet, pritet që miliona euro të dhurohen për spitalet e fëmijëve.
Megjithatë, Zuckerberg ka thënë se ende nuk është rënë dakord për asnjë datë deri më tani.
Duke detajuar vizionin e tij në platformën e mediave sociale X (i njohur më parë si Twitter), Musk tha se kishte folur me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, si dhe me ministrin e Kulturës.
“Ata kanë rënë dakord për një vend epik”,- ka shkruar ai.
“Gjithçka në kornizën e kamerës do të jetë Roma e lashtë, kështu që asgjë moderne.”
Megjithatë, kryeqyteti Roma dhe Koloseu i tij ikonik, ku luftimet legjendare të gladiatorëve mbaheshin në kohët e lashta, janë përjashtuar si mundësi.
Ministri i Kulturës i Italisë, Gennaro Sangiuliano, tha në një deklaratë se ngjarja e “bamirësisë së madhe” do të rezononte me rëndësinë historike të vendit duke ruajtur gjithashtu trashëgiminë e tij kulturore.
“Kam pasur një bisedë të gjatë dhe miqësore me Elon Musk, kemi biseduar për pasionin tonë të përbashkët për historinë e lashtë romake”,- tha Sangiuliano në një deklaratë.
“Ne po mendojmë se si të organizojmë një ngjarje të madhe bamirësie dhe evokimi historik, duke respektuar dhe mbrojtur plotësisht mjedisin. Nuk do të zhvillohet në Romë.”- tha ai.
Sangiuliano tha gjithashtu se një “shumë e konsiderueshme, shumë shumë miliona euro” pritet t’u dhurohet dy spitaleve italiane të fëmijëve.
Duke shkruar në Threads, platforma e parë si një konkurrent i drejtpërdrejtë i X, të cilin e lançoi muajin e kaluar, Mark Zuckerberg tha se “ka qenë i gatshëm të ndeshej që nga dita që Elon më sfidoi”, dhe nëse do të ishte rënë dakord ndonjëherë për një datë, “atë do ta dëgjojë nga unë”.
“Deri atëherë, ju lutemi supozoni se për çdo gjë për të cilën ai flet nuk është rënë dakord.”
Zuckerberg tha se kur ai konkurron, ai dëshiron “ta bëjë atë në një mënyrë që të vërë në qendër të vëmendjes e të lojës atletët elitë “.
Elon Musk, 52 vjeç dhe Mark Zuckerberg, 39 vjeç janë dy nga miliarderët e teknologjisë me profiling më të lartë në botë. Ideja e çuditshme për tu ndeshur me njëri-tjetrin filloi në qershor, kur Musk shkroi në Twitter se ishte “për një luftë në kafaz” me Zuckerberg.
CEO i Meta, i cili tashmë stërvitet në arte marciale të përziera (MMA) dhe së fundmi ka fituar edhe turnetë jiu-jitsu, thjesht u përgjigj me: “më dërgo vendndodhjen”. BBC