Ivan Balliu pranoi ftesën për të luajtur me Shqipërinë para 7 vitesh dhe në 6 tetor 2017, me Christian Panuccin si trajner, mbrojtësi debutoi me kuqezinjtë. Debutimi erdhi ndaj Spanjës, në kualifikueset e Botërorit 2018.
“Deri atëherë, nuk dija asgjë për Shqipërinë”, thotë për “Marca” Ivan Balliu, i cili ka lindur në Girona.
Mbrojtësi e analizon kështu ndeshjen ndaj Spanjës, pas informacioneve nga kampi kundërshtar se trajneri De La Fuentes do të bëjë një rotacion masiv: “Nuk e di nëse mund të konsiderohet një avantazh që një pjesë e titullarëve nuk do të jenë nga minuta e parë. Spanja ka nivel shumë të lartë dhe ata të stolit nuk kanë diferenca me titullarët. Në fushë do të jenë emra si Dani Olmo, Ferran Torres apo Ayoze Perez. E patë sa punë i hapi Italisë ky i fundit? Megjithatë, ne si Shqipëri na duhet vetëm fitorja, është e vetmja mënyrë për t’u kualifikuar pas dy ndeshjeve të para. Do të na duhet të rreshtohemi shumë mirë dhe t’i mbyllim hapësirat Spanjës, nuk duhet të mendojmë për një rezultat tjetër veç fitores, por duhet ta lexojmë ndeshjen në mënyrën e duhur”.
Më tej, duke bërë shaka, Balliu shtoi: “Do t’i them presidentit të Federatës që nëse spanjollët sillen mirë në fushë, t’i ftojë të kalojnë disa ditë pushimi në plazhet spektakolare në jugun e Shqipërisë”.