Edhe vendet me ritme të larta vaksinimi, si Izraeli, nuk po i shmangen dot fuqisë infektuese të variantit Delta të koronavirusit. Doza e tretë përforcuese po rezulton e suksesshme në parandalimin e rasteve më serioze të sëmundjes, por shkencëtarët i druhen edhe mutacioneve që rrezikon të pësojë virusi.
Injektimi i dozës së tretë të vaksinës po rezulton i suksesshëm në Izrael, edhe pse rastet atje në pamje të parë po arrijnë rekorde ditore.
Autoritetet njoftuan se nga fillimi i muajit dozën përforcuese e kanë marrë mbi 1 milion e gjysmë qytetarë dhe është vërejtur se sistemi i tyre imunitar e ka rritur me 97 përqind aftësinë për t’i mbrojtur nga sëmundja e rëndë.
Vala e pandemisë në Izrael mori fuqi në qershor kur nisi të shfaqet varianti Delta i koronavirusit.
Mbi 65 përqind e izraelitëve janë vaksinuar plotësisht me vaksinën Pfizer-BioNTech, por studimet tregojnë se edhe vaksina gjermano-amerikane e humb efektin përballë Deltës.
Studiuesit matën efikasitetin e vaksinave Pfizer dhe AstraZeneca në Britaninë e Madhe: deri në muajin e parë, Pfizer-i ishte 88 efektiv në parandalimin e Covidit-19 dhe 74 përqind pas pesë muajsh, ndërsa për AstraZeneca-n efikasiteti ishte përkatësisht 77 dhe 67 përqind.
Një tjetër studim, po në Britani, tregoi se dy në pesë njerëz me sistem imunitar të dobësuar prej sëmundjeve të kahershme, i humbasin thuajse të gjithë antitrupat edhe me të dyja dozat.
Madje një ekip shkencëtarësh japonezë zbuloi se personat e vaksinuar po e ndihmojnë virusin të ndryshojë veçoritë e tij me kalimin e kohës.
Shkencëtarët modifikuan strukturën e koronavirusit të llojit Delta dhe ia bashkëngjitën materialit gjenetik të marrë nga një pacient i vaksinuar, duke përftuar si rezultat një mutacion të ri i cili i reziston vaksinave të tanishme.
Edhe drejtuesi i kompanisë amerikane “Pfizer” që prodhon vaksinat e kovidit, deklaroi dy ditë më parë se dikur koronavirusi mund të pësojë mutacione të cilat nuk trajtohen më me vaksina.
Në gjithë botën janë vaksinuar plotësisht 25 përqind e njerëzve me 5 miliardë doza gjithsej.