Izraeli do t’ua japë dozën e tretë personave mbi 60 vjeç

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Izraeli do t’ua ofrojë dozën e tretë të vaksinës për Covid-19 personave mbi moshën 60-vjeçar, tha kryeministri i këtij vendi, Naftali Bennett.

Ai njoftoi se të drejtë për ta marrë dozën e tretë të vaksinës do të kenë ata që e kanë marrë dozën e dytë së paku pesë muaj më parë. Doza e tretë do të jetë e vaksinës së kompanisë “Pfizer” dhe do të fillojë të jepet nga e diela.

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, i cili mbush 61 vjet në shtator, do të jetë personi i parë që do ta marrë dozën e tretë të premten, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Ky vendim vjen në kohën e shtimit të rasteve me Covid-19 në Izrael dhe pas shqetësimeve në shumë shtete rreth variantit më ngjitës të virusit, Delta.

“Studimet tregojnë se ka rënie të imunitetit të trupit me kalimin e kohës. Qëllimi i dozës plotësuese është që ta përforcojë sistemin imunitar përsëri dhe kështu t’i pakësojë gjasat për infektim dhe sëmundje serioze në masë të konsiderueshme”, tha shefi i qeverisë izraelite.

Kryeministri Bennett tha se 2.000 persona me sistem imunitar të dobësuar tashmë e kanë marrë dozën e tretë të vaksinës dhe nuk kanë pasur efekte anësore serioze.

Sidoqoftë, ekspertët thonë se ende nuk është e qartë nëse doza e tretë e vaksinës do ta zvogëlojë numrin e infektimeve.

Share This Article