Konflikti mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit ka hyrë sot në ditën e katërt.
Ushtria izraelite nisi sulme të reja në Teheran dhe Bejrut, duke sulmuar ato që i quan “objektiva ushtarake”.
Ndërsa Irani ka goditur ambasadën amerkane në Riad me dy dronë.
Ambasadorja shqiptare në Izrael Meri Kumbe në një lidhje direkte në emisionin “Live në Mëngjes” në Vizion Plus ka dhënë detaje mbi situatën e sigurisë në vend.
Ajo theksoi se autoritetet izraelite vijojnë të mbajnë në gatishmëri të lartë sistemet e mbrojtjes dhe u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që ndodhen në Izrael të respektojnë udhëzimet e sigurisë dhe të qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm me ambasadën.
Kumbe: Nata ka qenë e qetë, kemi pasur vetëm një alarm dhe sulmet kanë qenë kryesisht në veri të vendit. Hezbollahu ka marrë përsipër autorësinë e sulmeve ajrore që ka bërë dje në mbrëmje. Sa i takon raketave nga Irani, Sulmi gjatë 24 orëve të fundit është ulur ndjeshëm.
Gjithashtu ambasadorja Kumbe dha më shumë detaje për situatën e shtetasve shqiptarë që kanë kërkuar asistencë për t’u larguar nga vendi. Ajo theksoi se prioritet absolut mbetet siguria e tyre, ndërsa procesi i daljes po koordinohet me autoritetet izraelite dhe po realizohet përmes rrugëve tokësore.
Kumbe: Ne jemi të gjithë në kontakt me njëri-tjetrin. Janë të gjithë shëndoshë e mirë. Kemi një listë prej 13 personash të vetëdeklaruar për të kërkuar asistencë pranë ambasadës për të dalë nga Izraeli. Janë të gjithë mirë, kanë akses të plotë në dhomat e sigurisë dhe presin me durim dhe qetësi për të parë zhvillimet e ditës së sotme dhe të ditëve në vazhdim dhe presim nga autoritetet izraelite sa i takon daljes së qytetarëve të huaj nga vendi. Këto lëvizje janë bërë vetëm përmes kufirit tokësor, nga Egjipti dhe nga Jordania ku qytetarët kanë vijuar udhëtimin drejt aeroporteve respektive. Janë 11 të rritur dhe 2 fëmijë aktualisht që po presin të dalin. Prioritet është siguria e tyre dhe jo dalja nga vendi. Më pas, pasi sigurohemi që janë të sigurt vijohet procesi gradual me udhëzimet që japim se si mund të dalin nga Izraeli. Aeroporti vijon të jetë i mbyllur. Frika është i vetmi problem.


