Izraeli sot ka nisur sulme të reja ajrore kundër objektivave të Hezbollahut në Libanin jugor, raportoi media libaneze. Njësitë e artilerisë izraelite goditën qytezën Blida në rrethin Marjayoun, tha agjencia zyrtare libaneze e lajmeve.
Një korrespondent i Anadolus në terren raportoi se Izraeli lëshoi raketa rreth rajonit Kfar Shuba dhe fshatrave Halta dhe Ghoraiba. Deri më tani, në përleshje janë vrarë 12 anëtarë të Hezbollahut dhe tre ushtarë izraelitë. Gjithsej tre civilë, përfshirë një gazetar, kanë vdekur në Liban dhe një civil në Izrael.
Tensionet janë përshkallëzuar përgjatë kufirit izraelito-libanez, pas sulmeve ajrore që Izraeli nisi kundër Rripit të Gazës kur grupi palestinez Hamas ndërmori një operacion në qytetet kufitare izraelite.
Të paktën 4.385 palestinezë, duke përfshirë 1.756 fëmijë, janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza, ndërsa shifra qëndron në më shumë se 1.400 njerëz në Izrael.
Hezbollahu ka zhvilluar disa luftëra me Izraelin, e fundit prej të cilave ishte në vitin 2006, gjatë së cilës grupi libanez goditi qytetet kryesore izraelite me raketa, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Mbi 1.000 libanezë u vranë në konflikt, ndërsa pjesa më e madhe e Libanit jugor – bastion i Hezbollahut – u shkatërrua nga sulmet izraelite.