Qeveria izraelite po hedh të gjitha hapat drejt një sulmi tokësor në Rafah, teksa diplomacia po bën çmos për të arritur një armëpushim para se ky sulm të nisë.
Sipas agjencisë prestigjioze Associated Press, zyrtarët e qeverisë izraelite i kanë dërguar këtë javë administratës Biden, planin për evakuimin e gjithë civilëve nga qyteti.
Veç vendasve, aty janë strehuar të paktën 1.5 milionë palestinezë nga zona të tjera të Rripit të Gazës për t’i shpëtuar luftës izraelite.
Shtetet e Bashkuara janë kundër këtij sulmi, që sipas diplomatëve në Uashington do të shkaktonte shumë vuajtje të reja tek civilët dhe do të shumëfishonte viktimat të cilët që prej gati 7 muajsh kanë arritur në 34 mijë.
Këtë të shtunë, në Kajro ku po zhvillohen për pjekje për arritjen e një marrëveshjeje, mbërriti delegacioni i Hamasit.
Zyrtarët egjiptianë janë optimistë se një marrëveshje mund të arrihet shumë shpejt. Një prej kërkesave kryesore të Hamasit për armëpushimin është që pas lirimit të pengjeve, Izraeli të japë garanci bindëse që do e ndalë një herë e mirë sulmin në Rripin e Gazës.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Hamasi është barriera e vetme e armëpushimit për momentin, ndërsa tha se sulmi izraelit në Rafah do të shkaktonte dëme të jashtëzakonshme.