Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e furnizimit të vendeve të NATO-s me raketa lundruese Tomahawk, me qëllim transferimin e tyre potencial drejt Ukrainës në kuadër të programit të mbështetjes PURL, por vendimi përfundimtar do të merret nga Presidenti Donald Trump.
Në një intervistë për Fox News zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance shpjegoi ndryshimin e fundit të qëndrimit të presidentit Donald Trump ndaj luftës Rusi-Ukrainë, duke theksuar koston njerëzore dhe ndikimin në ekonominë ruse.
“Eonomia ruse po rrënohet. Rusët nuk po bëjnë përparime të rëndësishme në fushën e betejës. Qartazi, ka ardhur koha të dëgjojmë kërkesën për t’u ulur në tryezën e negociatave dhe për t’u angazhuar në biseda serioze paqeje”, tha J.D. Vance.
Ai gjithashtu vuri në dukje se SHBA-ja po konsideron një kërkesë nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, së bashku me “një numër kërkesash nga europianët”, për të shitur raketa Tomahawk drejt Ukrainës.
Kjo do të ndodhte me gjasë në kuadër të programit PURL, ku SHBA-ja shet armë për vende të tjera të NATO-s për t’i transferuar më pas në Ukrainë.
Zëvendëspresidenti J.D. Vance u shmang të japë një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse do të mbështeste dërgimin e raketave me rreze të gjatë Tomahawk drejt Ukrainës. Ai deklaroi se kjo është një çështje në të cilën vendimi përfundimtar do të merret nga presidenti i SHBA-së.
“Ajo që presidenti do të bëjë është ajo që përputhet me interesat më të mira të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ai.
Për më tepër, zëvendëspresidenti tha se Rusia ka refuzuar të angazhohet në ndonjë formë negociatash për të përfunduar luftën.
“Ajo që kemi parë në javët e fundit është se rusët kanë refuzuar të vijnë në tryezë për ndonjë takim bilateral me ukrainasit. Ata kanë refuzuar të marrin pjesë në ndonjë takim trepalësh. Shumë njerëz po vdesin dhe ata kanë pak për të treguar. Sa njerëz të tjerë janë ata të gatshëm të humbasin? Sa njerëz janë ata të gatshëm të vrasin për një avantazh ushtarak shumë të kufizuar, nëse ka të tillë, në terren?”, tha Vance.
Siç raportua më parë, gjatë një takimi të mbyllur me Presidentin e SHBA-së Donald Trump në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Presidenti Volodymyr Zelensky supozohet se ka bërë një kërkesë për raketa me rreze të gjatë. Më vonë, Presidenti i Ukrainës e konfirmoi personalisht në emisionin Axios se ai kishte ngritur një kërkesë për sisteme të tjera armësh për Ukrainën gjatë takimit me presidentin e SHBA-së. Sipas tij, argumenti kryesor në favor të një vendimi të tillë është se kjo do të rriste gjasat për një armëpushim.