“Lajmi për vdekjen e tij na ka tronditur të gjithëve”.
Kështu shprehet kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, lidhur me rastin e vdekjes së 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu, në komunën e Lipjanit, më 7 korrik, pas ndërhyrjes së policisë. Shefi i qeverisë në detyrë kërkon një hetim të shpejtë dhe të plotë për zbardhjen e këtij rasti.
“Shumëçka prej asaj që ka ndodhur në mesnatën e shtatë korrikut tashmë është publike edhe falë incizimeve të dëshmitarëve, por për të kuptuar gjithçka çfarë ka ndodhur duhet hetim profesional nga institucionet për këtë bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës, inspektoratit policor, institutit të mjekësisë ligjore dhe prokurorisë është thelbësor. Pesë zyrtarë policorë tanimë janë në paraburgim. Unë kërkoj hetim të thellë dhe sa më të shpejtë që zbardh të vërtetën e plotë dhe i bën të njohura të gjitha rrethanat ashtu që të vendoset drejtësia dhe të arrihet llogaridhënia”, deklaroi Kurti.
Sa i përket reagimeve publike, Kurti bëri thirrje për qetësi, pasi sipas tij, tendenca për një antifushatë ndaj Policisë së Kosovës janë të dëmshme: “Dua të bëj të qartë se nuk do të ketë strehë në institucione apo nga institucionet për këdo që mund të ketë tejkaluar kompetencat apo të ketë shkelur ligjin gjatë detyrës zyrtare. Diskutimet publike që po bëhen dhe gjykimet publike janë veçanërisht të vështira për familjen Zejnullahu dhe miqtë e të ndjerit”.
Kurti, gjithashtu në emër të kabinetit qeveritar, ka shprehur ngushëllime edhe për familjen Lima, për shkak se të martën Kaçun Lima, komandanti i togut të zjarrfikësve në Gjakovë, ka humbur jetën gjatë detyrës së tij teksa ishte rrugës për të shërbyer.