Luka Modrić ka mbërritur në Itali dhe është gati të përfundojë zyrtarisht transferimin te AC Milan.
Legjenda kroate u pa të hënën në mëngjes në aeroportin Malpensa të Milanos, ku u prit nga gazetarët dhe fansat.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Ka sfida të mëdha përpara meje. Do të kem kohë të flas për të gjitha këto”, ishin fjalët e para të Modrić, të raportuara nga La Gazzetta dello Sport.
39-vjeçari i bashkohet Milanit si lojtar i lirë, pasi kontrata e tij 13-vjeçare me Real Madridin përfundoi këtë verë. Ai pritet të nënshkruajë një kontratë njëvjeçare me mundësi zgjatjeje deri në verën e vitit 2027 – gjë që do ta mbante në radhët e kuqezinjve deri në moshën 41-vjeçare nëse opsioni aktivizohet.
Pas mbërritjes në Itali, Modrić do t’u nënshtrohet vizitave mjekësore dhe më pas do të firmosë marrëveshjen me gjigantin italian.
Ky është një kapitull i ri në karrierën e një prej mesfushorëve më të mëdhenj të epokës moderne, i cili vjen në Milano me përvojë, klasi dhe ambicie për të dhënë kontribut të menjëhershëm.