“Bektashinjtë janë një monument i gjallë kulture që duhet të mbrohet nga shteti dhe populli shqiptar”. Ky ishte mesazhi i Kryeministrit Edi Rama teksa foli në Konferencën Jubilare të 95-vjetorit të vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në vendin tonë.
Ai mbrojti edhe një herë idenë e krijimit të shtetit Bektashi, duke thënë se vetëm duke lexuar shkrimet e albanologut Robert Elsie, çdo shqiptar do të binte dakord me këtë. “Ky komunitet është në rrugën e shuarjes, kjo po ndodh para syve tanë. Prandaj historia e Bektashinjve është në vetvete thirrja imponuese për t’i dhënë selisë së Kryegjyshatës Botërore, përmes një statusi të ngjashëm me atë të Vatikanit, fuqinë e një embleme e cila nuk do të përçajë askënd, e cila nuk do të kërcënojë askënd, nuk do të vërë në diskutim sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, se çfarë nuk dëgjon njeriu… Jo! Shqipëria është shtet unitar, jo federal. Edhe Italia është shtet unitar, por i ka nja tre realitete brenda saj me statuse të tilla”, tha Rama, shkruan A2 CNN.
“Komunitetet e tjera fetare nuk kanë pse të shqetësohen, sepse ky nuk është trajtim i veçantë, por trajtim i merituar i një komuniteti që e ka qendrën botërore në Shqipëri. Të tjerët do ta kishin shpikur edhe nëse nuk do ta kishin, ndërsa ne e kemi dhe jemi gati ta lëmë të vdesë”