Anija me ekuipazh prej 43 personash dhe 5.800 bagëti u largua nga Zelanda e Re më 14 gusht dhe pritej të arrinte në Kinë më 11 shtator
Një anije e madhe me një ekuipazh prej 43 personash dhe mijëra bagëti në bord është zhdukur në detin e trazuar të Kinës Lindore, njoftoi Roja Bregdetare e Japonisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Të paktën 43 anëtarë të ekuipazhit, të gjithë të huaj dhe rreth 5.800 bagëti ishin në anije kur u raportua e zhdukur natën e së mërkurës, raportoi sot e përditshmja “Japan Times”.
Vetëm një anëtar i ekuipazhit, një filipinas, ishte shpëtuar deri në raportet e fundit.
Anija e bagëtive me peshë 11.947 ton është regjistruar në vendin e Amerikës Qendrore të Panamasë.
Ekuipazhi përbëhej nga dy australianë, 39 filipinas përfshirë kapitenin dhe dy zelandezë.
Ishte mesnatë kur anija bëri thirrje për ndihmë rreth 185 kilometra në perëndim të ishullit Amami-Oshima në provincën Kagoshima të Japonisë, njoftoi roja bregdetare e vendit.
Menjëherë u ndërmor një operacion ndihme dhe shpëtimi nga rojet bregdetare japoneze së bashku me Forcat Detare të Mbrojtjes dhe një avion mbikëqyrës. Moti i stuhishëm dhe shirat e rrëmbyeshëm po pengojnë operacionin e shpëtimit.
Ekipet e shpëtimit gjetën një varkë shpëtimi dhe filipinasin me një jelek shpëtimi në ujëra.
Anija u largua nga Zelanda e Re më 14 gusht dhe pritej të mbërrinte në Kinë më 11 shtator.