Numri i foshnjave të lindura në Japoni ka shënuar rekord të ri të rënies, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë e Japonisë.
Sipas saj, shumë çifte kanë anuluar planet për martesë dhe krijim të familjes, edhe për shkak të pandemisë me koronavirus.
Numri i lindjeve në këtë shtet ka rënë në 840,832 në vitin 2020, apo për 2,8% në krahasim me një vit më parë. Sipas raporteve zyrtare, kjo është shifra më e ulët e lindjeve që nga viti 1899, kur kanë filluar regjistrimet e tyre.
Pandemia me koronavirus ka goditur shkallët e lindshmërisë në të gjithë botën, përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndonëse ishte paralajmëruar se mbyllja për shkak të pandemisë do të shkaktonte një ngritje të dukshme të lindjeve.
Edhe numri i martesave të regjistruara në Japoni ka rënë për 12,3% vitin e kaluar, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë.
Japonia po përballet me ulje të lindshmërisë ndër vite, duke rritur kështu shqetësimet për plakjen e popullsisë dhe zhdukjen e forcës punëtore.
Më shumë se 20% e popullatës në Japoni është e moshës mi 65 vjeç. Numri total i banorëve në këtë vend aziatik ka rënë në 124 milionë, në vitin 2018, ndërkaq deri në vitin 2065, parashihet të bie në 88 milionë banorë.