Kryeministri japonez Fumio Kishida njoftoi sot se ka anuluar një udhëtim të planifikuar në Azinë Qendrore pasi sizmologët paralajmëruan se Japonia duhet të përgatitet për një “megatërmet” të mundshëm.
Është hera e parë që lëshohet një paralajmërim i tillë që kur u vendos një sistem i ri paralajmërimi pas tërmetit shkatërrues të vitit 2011 që shkaktoi një cunami vdekjeprurës dhe shkatërroi një termocentral bërthamor.
“Si kryeministër kam përgjegjësinë përfundimtare për menaxhimin e krizës dhe kam vendosur të qëndroj në Japoni për të paktën një javë”, u tha Kishida gazetarëve.
Kreu i qeverisë japoneze do të udhëtonte në Kazakistan, Uzbekistan dhe Mongoli dhe planifikoi të merrte pjesë në një samit që përfshin pesë vende të rajonit.
“Probabiliteti që të ndodhë një tërmet i ri i fortë është më i lartë se në kushte normale, por kjo nuk do të thotë se do të ndodhë patjetër një tërmet”, njoftoi Agjencia Meteorologjike Japoneze (JMA) në paralajmërimin e saj dje, pas një tërmet me magnitudë 7.1 të shkallës Rihter plagosi tetë persona në Japoninë jugore, por nuk shkaktoi dëme të mëdha.
Japonia ndodhet në udhëkryqin e pllakave tektonike përgjatë ‘rripit të zjarrit’ të Paqësorit dhe është një nga vendet më aktive sizmike në botë.
Në arkipelag, shtëpia e rreth 125 milionë njerëzve, ka rreth 1500 tërmete në vit, shumica e tyre të dobët. /