Filmi i fundit i regjisorit amerikan Christopher Nolan,”Oppenheimer”, me sukses të padiskutueshëm, po bën xhiron e kinemavenë mbarë botën, me përjashtim të Japonisë.
Distributori i filmit në vendin ishull, Toho-Tova, ende nuk ka shpallur datën e publikimit të filmit, i cili ka të bëjë me krijimin e bombës atomike gjatë Luftës së Dytë Botërore nga shkencëtari J. Robert Oppenheimer që u përdor për të shkatërruar Hiroshimën dhe Nagasakin në gusht të vitit 1945.
Shumica e vizitorëve japonezë në Parkun Përkujtimor të Paqes thanë se nuk kishin dëgjuar për filmin, i cili nuk është reklamuar shumë në Japoni, pasi ngjall shumë debat.
Por nga ana tjetër, ka dhe nga ata që thanë se do të shihnin “Oppenheimer”, megjithëse disa shprehën rezerva se si mund të ndiheshin ata që u ndikuan drejtpërdrejt nga bombardimet për të.
“Oppenheimer” sjell historinë e J. Robert Oppenheimer, shkencëtari që drejtoi “Projektin Manhattan”, nisma kërkimore dhe zhvilluese që çoi në prodhimin e armëve të para bërthamore, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Projekti u drejtua nga SHBA, me mbështetjen e Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ai krijoi bombën atomike, e cila u hodh në Hiroshima dhe Nagasaki, duke shkaktuar rreth 220 mijë viktima.
Viktimat u llogaritën pas bombardimit por edhe ato të shkaktuara nga pasojat që la rrezatimi dhe ekspozimi ndaj uraniumit.
Zërat e qytetarëve:
“Ka ende persona dhe familje të prekura nga bombardimet atomike, kështu që mendoj se është më mirë që filmi të mos shfaqet pa marrë parasysh ndjenjat e atyre njerëzve.”
“Mendoj do të ketë shumë njerëz që nuk do të duan ta shohin. Mendoj se ka shumë njerëz, si familjet e viktimave, që do të ishin kritikë dhenuk do të ishin dakord që filmi të shfaqej. “
“Unë patjetër dua ta shoh. Jam shumë i interesuar se çfarë lloj gjërash përfshihen në pikëpamjen amerikane”.
“Unë mendoj se njerëzit janë të interesuar për filmin. Ndoshta të interesuar për perspektivën amerikane të ngjarjes. Mendoj se ndoshta mund të jetë edhe më mirë ta shfaqim këtu dhe pastaj, të edukojmë japonezët edhe më shumë për të.”