Jasir Asani po kalon një moment “të artë” me Kombëtaren, ku në ndeshjet e kualifikuese për Europianin “Gjermani 2024” ka shënuar tre eurogola. Në suksesin e fundit ndaj Çekisë perla e ish-sulmuesit të Partizanit i hapi rrugën fitores 3-0 të kuqezinjve.
Përmes një postimi në profilin e tij në rrjetet sociale Asani ka lëshuar një mesazh përqafues për të gjithë shqiptarët. Ky mesazh i sulmuesit nga Shkupi vjen para ndeshjes miqësore me Bullgarinë, që do të luhet të martën, ora 18:00, në stadiumin “Air Albania”.
Ashtu si në dy ndeshjet e fundit, ndaj Polonisë dhe Çekisë, kërkohet që mbështetja e tifozëve për Kombëtaren të jetë e konsiderueshme edhe ndaj skuadrës bullgare, ndonëse nuk ka rëndësinë e dy sfida të lartpërmendura.
“Dua ti përqafoj të gjithë shqiptarët. Pa dashurinë e tuaj nuk do të kisha shënuar asnjë gol. Jemi një. O sa mirë me qenë shqiptar”. Ky ishte mesazhi i Asanit për shqiptarët, postim të cilin ai e kishte shoqëruar me një foto festive të tij me qeleshe në kokë, shkëputur nga monitori ku po e shikonin tifozët në Sheshin “Skënderbej”.