Për herë të parë organizohet në Manastir, të Maqedonisë së Veriut, “Java e Filmit Shqip”. Java u çel me premierën e filmit “Mësonjëtorja” të regjisorit Muharrem Fejzo, film tashmë i restauruar. I gjithë programi i “Javës së Filmit Shqip” përfshin gjithsej 6 filma shqiptarë të restauruar.
Në Kino Manaki të Manastirit ka qenë e pranishme edhe aktorja Roza Anagnosti, e cila ka sjellë me rolin e Dafinës personifikimin e patriotes Sevasti Qirjazi, e para grua shqiptare me arsim të lartë, e shkolluar në Manastir dhe Kostandinopojë që hapi në vitin 1891 të parën shkollë shqipe për vajza në Korçë dhe punoi për edukimin dhe ndikimin e grave e vajzave në shoqërinë shqiptare.
Filmi u transmetua me titra në gjuhën maqedonase.
Sot është dita e shfaqjes së filmit “Beni ecën vetë”, prodhim i vitit 1975, me regji të Xhanfise Kekos. Të tjerë filma që do të shfaqen deri në përfundim të këtij eventi, më 25 nëntor, do të jenë: “Përrallë nga e kaluara” (Dhimitër Anagnosti, prodhuar në 1989), “Zonja nga qyteti” (Piro Milkani, prodhuar në 1976), “Gjeneral Gramafoni” (Viktor Gjika, prodhuar në 1978) dhe “Shoku ynë Tili” (Fehmi Hoshafi, prodhuar në 1981).