Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance thotë se vendet evropiane do të duhet të paguajnë “pjesën e luanit” të kostove për garancitë e sigurisë së Ukrainës.
Garancitë e sigurisë i referohen angazhimeve të aleatëve ukrainas, për ta mbrojtur atë në rast se Rusia nis një pushtim tjetër pasi të arrihet paqja
Është një nga prioritetet kryesore të Ukrainës në çdo marrëveshje dhe mbështetja e SHBA-së do të siguronte frenimin më të madh, por Donald Trump dëshiron t’ia kalojë përgjegjësinë Evropës.
“Nuk mendoj se duhet ta mbajmë barrën këtu”, tha Vance për Fox News.
“Presidenti sigurisht pret që Evropa të luajë rolin kryesor këtu. Pavarësisht se çfarë forme merr kjo, evropianët do të duhet të marrin pjesën e luanit të barrës”, shtoi ai.
“Është kontinenti i tyre, është siguria e tyre, dhe presidenti ka qenë shumë i qartë – ata do të duhet të ndërhyjnë këtu”, tha ndër tjera JD Vance.
Trump ka thënë se nuk do të vendosë trupa amerikane në tokë, por mund të ofrojë mbështetje ajrore.
Vendet evropiane kanë formuar një “koalicion të të gatshëmve”, që do të angazhojë forca për të garantuar sigurinë e Ukrainës.
Bloomberg raportoi se 10 vende ishin të gatshme të angazhonin trupa, duke cituar burime diplomatike evropiane. /