Pas disa ditë ndjekjesh të itinerarit të Fatmira Dedës, Talo Çela dhe Nuredin Dumani, kishin vendosur 14 shtatorin e vitit 2013, për eliminimin e Fatmira Dedës. Rolet ishin ndarë qartë, Dumani do të drejtonte mjetin, Talo Çela do ishte ekzekutori. Automjeti ishte siguruar nga Dorian Shkoza.
Të sigurt që në atë zonë nuk kishte kamera sigurie, u pozicionuan pranë hyrjes së pallatit ku banonte Fatmira. Kishin informacione të sakta për orarin e mbërritjes së saj, pasi informoheshin nga i pandehuri Agron Qoli, kushëri i porositësit.
“Më përpara ka qenë jo e shkruar, por prokurorët dhe gjyqtarët kanë mundur që të bëjnë për vetë qoftë dëshmitarë apo të pandehur, të cilët tregonin, jepnin elementë të domosdoshëm dhe nevojshëm për hetimin dhe kjo ndikonte në uljen e dënimit të tyre, pra quheshe si rrethanë lehtësuese”, u shpreh Alfred Balla, avokat.
“Të jetë një deklarim i bashkëpunëtorit të drejtësisë i vlefshëm, është edhe një nga kriteret për të lidhur marrëveshjen e bashkëpunimit me të penduarin që deklarimet e tij të mbështeten edhe në prova të tjera që të tregojnë vërtetësinë e deklarimit të tij” u shpreh Ermira Tafani, pedagoge.
Rreth orës 13:00, sinjali nuk vonoi, Agron Qoli dërgoi mesazhin “erdha unë”. Pas pak, u shfaq edhe makina e viktimës. Dumani e ndoqi menjëherë nga pas. Sa hyri ajo në garazh, ai manovroi me kujdes dhe ndaloi në pikën e përcaktuar më parë.
Pas këtij momenti, Talo Çela zbret nga makina dhe futet në garazh, Dumani mbeti në makinë, në pozicion vëzhgues. Fatmira sapo kishte ndaluar automjetin dhe po përgatitej të zbriste. Në atë moment Talo iu afrua dhe nisi sulmin brutal.
“Ajo po dilte nga garazhi, garazhi po mbyllej se e kishte me telekomandë edhe garazhi, ra në kurriz të Talo Çelës, se donte ta vriste në garazh, ta tërhiqte brenda, ajo nuk pranoi të hynte, edhe ky nuk e tërhoqi dot, se ishte edhe e rëndë ajo. Edhe garazhi, u shtrembërua ngeli shtrembër, pra qepeni i garazhit. Ai e shtriu në tokë edhe i ra me shkelma shumë, shumë shkelma, edhe e pashë që i ka gjuajtur pastaj fiks fare, nuk e pashë edhe ja nguli asaj viktimës.”
Referuar dëshmive dhe dosjes penale, pas ekzekutimit të Fatmira Dedjas, pagesa për Nuredin Dumanin u mbyll nga Petrit Qoli, vëllai i Festimit. Ai i dorëzoi shumën e mbetur prej 30 mijë eurosh. Sipas Dumanit, ai nuk foli me të ashtuquajturin “Festa” për ngjarjen. Porositësi e mësoi vrasjen përmes lajmeve. Me Dumanin u takua vetëm pas 10 ditësh.
“Më ka falenderuar shumë, më ka thënë këtej e mbrapa ti je vëllai im. Më ka thënë që këtej e mbrapa, nuk kam më Petritin vlla, por të kam edhe ty. Të jam shumë mirënjohës, e ça do kemi tani e mbrapa e kemi të dy bashkë”
Premtimet nuk munguan. Nga karburanti i familjes Qoli që ishte në shitje, Festimi i ka thënë se do i jepte 200 mijë euro. Por sipas Dumanit, kur karburanti u shit, asnjë cent nuk mori…
E priti mbi pemë sa të mbaronte dasma, Dumani: Më ishin mpirë këmbët, objektivi mu afrua…
Pas vrasjes së Fatmira Dedës, Nuredin Dumani tashmë u shndërrua në një vrasës profesionist, pikë referimi për bandat kriminale. Ai mori porosinë e radhës. Këtë herë nga Elbasani. Aty ku në vijim, emrat i tij dhe Talo Çelës dilnin në gjithë zinxhirin e vrasjeve.
Objektiv për tu eliminuar ishte Arben Çeta. Sipas dëshmisë urdhri ishte dhënë nga Kamer Mehja, një figurë e njohur në qytet për aktivitetin e tij kriminal. Sipas dëshmisë së Dumanit, Çeta i kishte vrarë një familjar Kamerit dhe kishte bërë 13 vite burg. Pas lirimit, Kameri e donte të vdekur.
“Nuk mundet që vetëm me një deklarim të bashkëpuntorit të drejtësisë të arrijmë në një vendim fajësie për autorët e veprës penale nga gjykata. Për më tepër që vendimin e saj gjykata e mbështet në një kompeksitet provash, që janë ligjore, të drejta dhe të paanshme, dhe në argumentimin që bën në vendimin e saj.” u shpreh Ermira Tafani, pedagoge.
“Kemi parasysh që këta individë e kanë shumë të vështirë të jetojnë brenda rregullave duke pasur një punë me të ardhura me punë të ndjeshme, apo duke pasur një rrogë, nuk dinë as ta menaxhojnë të kenë një program ditor ku do shkojnë në punë dhe pagesa e tyre mujore të jetë e mjaftueshme për të siguruar nevojat financiare të vetes apo familjes. Në kushte të tilla këta individë bëjnë sjellje impulsive apo ndërtojnë strategji për të përfituar të ardhura të mëdha.” u shpreh Almeida Xhaferi, psikologe.
Porosia fillimisht i kalon Gentian Sharës, i cili e përcjell tek Talo Çela. Për ta realizuar, përfshihet edhe Tom Çela, i njohur si “Tomi qorr”. Kamer Mehja jep 30 mijë euro parapagim, gjysmën e shumës prej 60 mijë që ishte rënë dakord.
“Në tetor të vitit 2013 më vjen edhe më takon Talo Çela, shumë i mërzitur. Më tha “Vlla, vetëm ti do më ndihmosh në këtë pjesë, sepse këtë punë e kam marr unë, Tomi edhe Gent Sharra, punën se kemi mbaruar dhe kemi marrë 30 mijë euro. I thashë po si është puna me lekët? Paguhesh 60 mijë euro tha. 30 mijë euro që kemi marrë ne, këto i ka prish Tomi, se ka rregulluar shtëpinë, e ca të them unë se jam lodh me këtë punë. Këto 30 mijë euro, të tjera që do marrim, do i marrësh ti të gjitha.
Pasi pranon punën e radhës, Dumani fillon ndjekjen e objektivit për ditë me radhë në Elbasan. Më pas siguron një automjet dhe një armë të vogël me silenciator, e sjellë nga vetë Kamer Mehja.
“Ka ardh Kameri tek lokali Talos. Ka ardh vet aty me një BMW X1,edhe tha është tek bar restorant Balla, në Fushë-Labinot të Elbasanit. Kemi shkuar unë Talo Çela, Tom Çela, kemi marr vetëm një pistoletë, zavstava, 7.5 mm shumë e vogël, është vetëm për distanca të afërta, me silenciator. Edhe shkuam atje”
Dumani ishte veshur me kostum si peshkatar për të mos rënë në sy. A e pret për orë të tëra Çetën deri në përfundim të dasmës.
“Pashë makinën dhe përballë makinës, 25-30 metra, ishin pishat, e aty hipa në majë të pemës. Kam prit për disa orë aty lart. Kur doli ai ishte bashkë me dy persona të tjerë ishte një burrë edhe një grua. Arben Çeta, ishte përballë meje, edhe më pa kur zbrita nga pema. Ngaqë kisha ndenjur shumë në pemë, më ishin mpirë këmbët, edhe nuk ndenja dot drejt. Drejtova pistoletën drejt atij kur u afrova afër, ai nxorri këtë gruan përpara, gjuajta njëherë, edhe ra plumbi tek xhami i makinës”.
Edhe pse Dumani, e ndoqi pas dhe i zbrazi të gjithë karikatorin prej pesë plumbash, vetëm një e qëlloi Arben Çetën duke e plagosur. Por, pa mundur ta përfundonte atentatin pasi i mbaruan municionet. Duke qenë përballë turmës së njerëzve, Dumani u tërhoq me gjakftohtësi drejt makinës ku e prisnin Talo Çela dhe Tomi i njohur si “Qorri”. Por, aty për pak sa nuk ra viktimë e shokëve të tij.
“Tom Çela, kish pas dal nga makina, siç isha duke dalë nga lokali, Tomi ishte nga jashtë gardhit, edhe Tomi, kishte kujtuar se është Arben Çeta, isha unë mu drejt makinës së Arben Çetës, edhe gjuajti me armë, gjuajti me armë se kujtoi se ishte ai. S’më kapi plumbi, por ra ke makina Ben Çetës, po kapi mbrapa theu xhamin e makinës. Aty u turra me vrap, ore i thashë ça bën ky budallai se më gjuajti mua. Tomi nuk shifte, erdhi me vrap, edhe u përplas me makinën ngaqë nuk shifte natën, u rrëzua në tokë, e ngritëm ikëm”. (Inside Story)