Jeta e Roman Abramovich ndryshoi në shkurt të vitit 2022, me fillimin e pushtimit rus të Ukrainës. Ish-pronari i Chelsea, ashtu si manjatë dhe oligarkë të tjerë rusë, u godit me sanksione financiare të vendosura ndaj Rusisë nga Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian.
Sipas vlerësimeve të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe atyre të parashikuara nga Bloomberg, Abramovich kishte një pasuri prej 4,1 miliardë sterlinash përpara fillimit të pushtimit rus nga Ukraina. Sanksionet bënë që pjesa dërrmuese e pasurive të tij të sekuestrohet nga autoritetet evropiane.
Abramovich u largua nga Chelsea në maj 2022, pasi arriti një marrëveshje me konsorciumin amerikan të udhëhequr nga manjati Todd Boehly, pronar aktual i klubit të Stamford Bridge.
Në Londër, ai vuri në shitje rezidencën e tij me 15 dhoma gjumi në Kensington Palace Gardens dhe apartamentin e trefishtë në një ndërtesë 37-katëshe në Chelsea Waterfront, e sekuestruar në mars së bashku me një shtëpi tjetër 6-katëshe në sheshin Eaton, të cilën e bleu për 33 milionë euro.
Nga ana tjetër, asetet e tij ranë me 40% në vitin 2022. Në fund të vitit të kaluar, sipas të dhënave nga Bloomberg Wealth Index, Abramovich kishte pasuri me vlerë 10,5 miliardë euro. Destinacioni i manjatit rus nuk ishte tjetër veçse Turqia, ku mori katër jahtet e tij të vlerësuara mbi 1 miliard euro.
Media të ndryshme turke panë Abramovich duke ecur nëpër rrugët e Stambollit dhe muajt e fundit kanë pasur spekulime për një interesim të mundshëm të rusit për të blerë një klub futbolli turk.
Hera e fundit që Abamovich u pa në Stamboll ishte në fund të marsit.
Ndërkohë, sipas “The Guardian”, Abramovich financonte në fshehtësi ekipin holandez të Vitesse. Por, nga Vitesse siguruan se informacioni mbi të cilin bazohet artikulli në mediat britanike nuk është i saktë.