Amsterdami ka muze të pasura me kryevepra, parqe mahnitëse dhe kanalet në qendrën e saj që i kanë dhënë epitetin e “Venecias së veriut”, por qartësisht pjesa dominante e turizmit vjen e tërhequr nga kafenetë saj ku mund të konsumohen lirisht dhjetëra varietete të ndryshme të kanabis, si dhe rrugicat e lagjes së njohur si Red Light District, e karakterizuar nga vitrinat e kuqe ku shfaqen, veçanërisht gjatë orëve të natës, prostitutat që punojnë ligjërisht.
Por kjo dukuri aq e diskutuar sa e lakmuar nga vizitorët e kryeqytetit holandez, do të jetë së shpejti një kujtim i kohërave të kaluara.
Nga java e sotme, punonjëset e seksit do detyrohen të mbajnë tendat e vitrinave të ulura, në çdo lloj orari, duke shmangur në këtë mënyrë edhe përqendrimet e kuriozëve.
Masa po merret nga këshilli bashkiak për të frenuar ngjarjet e sherreve dhe kriminalitetit në atë zonë, por edhe për të mbrojtur vetë punonjëset, që në atë vend paguajnë rregullisht taksat.
Hyrja në aktivitetet e tyre nga klientët tashmë do të kryhet me anë të telefonit, duke skanuar një “barcode” ku ata mund të shohin paraprakisht prostitutën.
Por vetë punonjësve kjo masë nuk i pëlqen aspak. Shumë prej tyre kanë deklaruar se madje kjo shton pasigurinë e tyre sepse nuk mund të shohin nga larg nëse personi është i dehur ose prezantohet si i dhunshëm.