Krerët e kompanive lider të teknologjisë kanë kërkuar që sistemet e inteligjencës artificiale të pezullohen, nga frika se mund të përbëjnë një kërcënim për njerëzimin.
Ata kanë nënshkruar një letër të hapur ku paralajmërojnë për rreziqet potenciale dhe deklarojnë se gara për të zhvilluar sistemet e inteligjencës artificiale ka dalë nga kontrolli.
Pronari i “Twitter”, Elon Musk është mes atyre që kërkon që zhvillimi i inteligjencës artificiale përtej një kapaciteti të caktuar të ndërpritet për të paktën 6 muaj.
Bashkëthemeluesi i “Apple”, Steve Wozniak dhe disa studiues të kompanisë “Deep Mind” nënshkruan gjithashtu peticionin.
“Open AI”, grupi që zotëron shërbimin “ChatGPT”, publikoi së fundmi opsionin teknologjik GPT-4, që ka habitur vëzhguesit me aftësinë për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi objektet në një fotografi.
Letra, nga Instituti e Ardhmja e Jetës, kërkon që zhvillimet e inteligjencës artificiale të ndalen përkohësisht në nivelin aktual, duke paralajmëruar për rreziqet që sistemet më të avancuara mund të përbëjnë.
“Sistemet e inteligjencës artificiale në gjendje të konkurrojnë inteligjencën njerëzore mund të përbëjnë rreziqe të mëdha ndaj shoqërisë dhe njerëzimit”, thuhet në letër.
Instituti e Ardhmja e Jetës është një organizatë jofitimprurëse që ka si mision mbajtjen e teknologjive të zhvilluara larg nga niveli ekstrem.
Musk, pronar i “Twitter” dhe shef ekzekutiv i kompanisë së automjeteve “Tesla”, është një këshilltar i jashtëm i organizatës.