Joe Barone nuk ia doli dot. Drejtori i përgjithshëm i Fiorentinës, i shtruar në terapi intensive në spitalin San Raffaele në Milano që prej të dielës në mbrëmje, pas infarktit të pësuar në hotel para ndeshjes (të shtyrë) kundër Atalantës, u nda nga jeta sot në moshën 57-vjeçare. Në krah të tij ishin deri në fund familja e tij, bashkëshortja Camilla, katër fëmijët e tij, Pietro, Salvatore, Giuseppe dhe Gabriella dhe gjithashtu nipi i tij 11 muajsh, të ardhur nga SHBA. Mungonte presidenti i Fiorentinës Rocco Commisso, që pritej të mbërrinte pranë shtratit të mikut dhe drejtuesit të tij të mërkurën.
Barone, i cili nesër do të mbushte 58 vjeç, ishte i lidhur me atë që quhet ‘resurrection machine’, një pajisje moderne që përdoret për rastet më të rënda dhe që ka shpëtuar shumë jetë.
Deklarata e fundit e Fiorentinës për gjendjen e tij daton në orën 12:00 të së hënës: “Joe Barone mbetet i shtruar në njësinë e kujdesit intensiv kardiokirurgjik të spitalit San Raffaele në Milano në kushte kritike klinike, pas një arresti kardiak jashtë spitalit. Funksionet vitale mbështeten nga teknikat e mbështetjes mekanike artificiale.
“KOMUNIKATA E FIORENTINËS“
Me dhimbje të thellë dhe pikëllim të jashtëzakonshëm, Fiorentina sot humbet një nga pikat e saj të referencës. Një figurë që ka shënuar historinë e fundit të klubit dhe që nuk do të harrohet kurrë. Drejtori i Përgjithshëm Giuseppe Barone, pas sëmundjes që ndodhi të dielën, humbi jetën sot në spitalin “San Raffaele” në Milano.
Rocco Commisso dhe familja e tij, Daniele Pradè, Nicolas Burdisso, Alessandro Ferrari, Vincenzo Italiano, Cristiano Biraghi dhe e gjithë Fiorentina janë shkatërruar nga humbja e tmerrshme e një njeriu që ofroi profesionalizmin e tij të madh, zemrën dhe pasionin e tij për këto ngjyra, e një miku të disponueshëm dhe gjithmonë të afërt në të gjitha momentet, si ato më të lumturat dhe mbi të gjitha ato më të vështirat.
E gjithë bota Viola mblidhet rreth gruas së tij Camilla, fëmijëve dhe të gjithë familjes Barone, në këtë moment dëshpërimi të madh”.