Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, ka deklaruar se sanksionet e zbatuara ndaj Rusisë për shkak të luftës që ka nisur kundër Ukrainës nuk do të hiqen edhe nëse arrihet armëpushimi.
Johnson foli në seancën javore ‘Pyetje për kryeministrin’ që mbahet në Dhomën e Komuneve.
Në përgjigje të thirrjes së deputetit të Partisë Konservatore në pushtet, Johnny Mercer, për më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën, Johnson theksoi se Mercer ka absolutisht të drejtë dhe se duhet të dyfishojnë mbështetjen ushtarake dhe të mbrojtjes.
“Gjithashtu do të sigurojmë që asnjë nga miqtë dhe partnerët tanë në botë të mos hedhin hap pas në sanksione. Në të vërtetë, duhet të rrisim presionin ekonomik mbi Vladimir Putin-in dhe heqja e çdo sanksioni pasi të ketë një armëpushim është absolutisht e paimagjinueshme. Mendoj se kjo është në mënyrë kategorike e paimagjinueshme”, deklaroi Johson.
Kryeministri britanik theksoi se nuk duhet të ketë “kthim prapa” në sanksionet kundrejt individëve dhe institucioneve ruse.
Zëdhënësi i kryeministrit britanik dje për gazetarët njoftoi se Johnson në një takim me ministrat e tij të lartë ka theksuar se vetëm armëpushimi nuk do të jetë arsye për heqjen e sanksioneve kundër Rusisë.