Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, dëshiron t’i ofrojë Rusisë siguri për rolin e NATO-s, pasi që kjo e fundit është një aleancë mbrojtëse dhe çdo demokraci evropiane duhet të lejohet t’i bashkohet, deklaroi zëdhënësi i tij të hënën.
Rusia, e cila ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014, po kërkon garanci sigurie, duke përfshirë një zotim nga NATO-ja për të mos ta pranuar kurrë Ukrainën.
“Rusia ka shprehur shqetësime për agresionin e mundshëm të NATO-s, por ne kemi qenë të qartë se këto shqetësime janë thelbësisht të pabaza, pasi NATO-ja është një aleancë mbrojtëse”, ka thënë zëdhënësi i Johnsonit, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, raporton Reuters.
Ai më tej tha se me këtë rast shprehin vullnetin për të punuar me Rusinë për të ofruar siguri diplomatike në këtë aspekt.
“Por ne duam të punojmë me Rusinë për të ofruar siguri diplomatike në këtë front. Nuk ka të bëjë me koncesione. Siç kanë thënë kryeministri dhe udhëheqës të tjerë perëndimorë, të gjitha demokracitë evropiane kanë të drejtë të bashkohen me NATO-n”, ka shtuar zëdhënësi i Johnsonit.
Rusia ka grumbulluar mbi 100,000 trupa pranë kufirit me Ukrainën, gjë që Perëndimi po e sheh si përgatitje për një pushtim të mundshëm të Ukrainës.
Moska zyrtare vazhdimisht ka mohuar se ka plane për ta pushtuar Ukrainën, por ka kërkuar nga NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara garanci ligjore se aleanca nuk do ta pranojnë Kievin, si dhe të mos zgjerohet në drejtim të lindjes.

