Boris Johnson ka kërkuar falje pasi nëpunësja e lartë civile, Sue Grey, zbuloi se ndejat e mbajtura nga kryeministri dhe stafi i tij kur Britania ishte nën kufizimet e koronavirusit përfaqësojnë “dështim serioz” për të respektuar standardet e pritura nga qeveria
Kryeministri britanik, Boris Johnson, kërkoi falje të hënën për ndejat gjatë izolimit pandemik në Downing Street – por këmbënguli që atij dhe qeverisë së tij mund t’u besohet.
Johnson u tha ligjvënësve në Dhomën e Komunave se do të bënte ndryshime në mënyrën e drejtimit të qeverisë pas skandalit “partygate”.
Ai foli pasi nëpunësja e lartë civile, Sue Grey, zbuloi se ndejat e mbajtura nga kryeministri dhe stafi i tij kur Britania ishte nën kufizimet e koronavirusit përfaqësojnë “dështim serioz” për të respektuar standardet e pritura nga qeveria.
Grey publikoi gjetjet për katër tubime në 2020 dhe 2021, dhe policia po heton një duzinë ngjarjesh të tjera.
Johnson ka kundërshtuar thirrjet për dorëheqje nga politikanët e opozitës dhe disa prej ligjvënësve të tij konservatorë.
Në raportin e saj, Grey arriti në përfundimin se “dështimet e udhëheqjes dhe gjykimit” lejuan të ndodhnin ngjarje që “nuk duhej të lejoheshin të ndodhnin”.
“Në sfondin e pandemisë, kur qeveria po u kërkonte qytetarëve të pranonin kufizime të gjera në jetën e tyre, disa nga sjelljet që rrethojnë këto tubime është e vështirë të justifikohen”, tha Grey.
Vlerësimi i Greyt tregon se kishte konsumim të tepërt alkooli, porse stafi i frikësuar për të folur për problemet e vendit të punës. Kjo shihet si goditje për Johnsonin – i cili më parë ka thënë se rregullat janë ndjekur në çdo kohë – dhe vjen pavarësisht nga fakti se përfundimet e Grey kanë të bëjnë me vetëm katër nga 16 ngjarjet që ajo hetoi.
Gjetjet e saj për 12 ngjarje të tjera në 2020 dhe 2021 janë mbajtur me kërkesë të policisë, e cila ka nisur një hetim penal për shkeljet më të rënda të pretenduara të rregullave të koronavirusit.
Ndër ngjarjet nën hetimin e policisë janë një festë e ditëlindjes në qershor 2020 për Johnson në Downing Street dhe dy tubime të mbajtura në prag të funeralit të princit Philip në prill 2021.
Pretendimet se kryeministri dhe stafi i tij shpërfillën kufizimet e vendosura në vend për të frenuar përhapjen e koronavirusit, kanë shkaktuar zemërim publik, kanë bërë që disa ligjvënës konservatorë të bëjnë thirrje për dorëheqjen e Johnsonit dhe kanë shkaktuar përplasje intensive brenda partisë qeverisëse.
Johnsoni ka mohuar keqpërdorimet personale dhe tha se ai nuk ka “absolutisht asnjë qëllim” të japë dorëheqjen.
Por kontrolli i Johnsonit mbi pushtetin është dobësuar nga akuzat për festat e zyrës “merrni pijet me vete”, festimet e ditëlindjeve dhe “të të premteve të kohës së verës”.
“Vështirësitë në të cilat qytetarët në të gjithë vendin punuan, jetuan dhe fatkeqësisht madje vdiqën duke respektuar me rigorozitet rregulloret dhe udhëzimet e qeverisë, janë të njohura shumë mirë,” shkroi Grey.
“Nganjëherë duket se është menduar shumë pak për atë që po ndodhte në të gjithë vendin në shqyrtimin e përshtatshmërisë së disa prej këtyre tubimeve”.
Udhëheqësi i Partisë Laburiste të opozitës, Keir Starmer tha se publiku britanik kishte bërë “sakrifica tronditëse” dhe kishte duruar “një traumë kolektive” gjatë pandemisë.
“Kryeministri na mori të gjithëve për budallenj”, tha ai. “Ai e përçmoi sakrificën e njerëzve. Ai u tregua i papërshtatshëm për detyrën”.
Publikimi i raportit të Greyt u vonua pasi task-forca e Policisë Metropolitane nisi hetimin e saj javën e kaluar për shkeljet më serioze të supozuara të rregullave të koronavirusit.
Task-forca tha se kishte kërkuar që raporti i Greyt të bënte vetëm “referencë minimale” për ngjarjet që po hetoheshin nga detektivët “për të shmangur çdo paragjykim ndaj hetimit tonë”.