Kryeministri i porsazgjedhur i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka thënë se ka shumë gjasa që të arrihet marrëveshje e re me Bashkimin Evropian për Brexit-in dhe se dëshiron edhe marrëveshje të re tregtare me këtë bllok shtetesh.
“Ajo që dëshirojmë ta bëjmë është të qartësojmë plotësisht se kontrollet kufitare nuk janë të mira. Kjo çështje është e vdekur, duhet të kapërcehet. Marrëveshja për Tërheqje është e vdekur, duhet të kapërcehet. Por ka hapësirë për një marrëveshje të re”, tha Johson gjatë një vizite në një bazë detare në Skoci.
Ai shtoi: “Në thelbin e marrëveshjes së re për Brexit-in duhet të jetë një marrëveshje e re për tregti të lirë, e cila na mundëson marrjen e kontrollit ndaj taksave dhe rregulloreve tona dhe t’i bëjmë gjërat ndryshe aty ku e dëshirojmë një gjë të tillë.
Kryeministri britanik nga radhët e Partisë Konservatore e përjashtoi mundësinë e mbajtjes së referendumit të dytë për pavarësinë e Skocisë. Në referendumin e kaluar, të mbajtur në vitin 2014, 55 për qind e popullsisë skoceze kishin votuar kundër shpalljes së pavarësisë.
“Ajo ishte një mundësi që ndodh një herë në jetë, një herë në një gjeneratë, të gjithë e kanë ditur këtë. Ata e patën mundësinë të votojnë dhe besoj se do të ishte gabim, nëse do të prishej ky premtim ndaj popullit skocez”, deklaroi shefi i ri i një prej qeverive më të fuqishme evropiane, shkruan “Reuters”.