Mjaft më me zënka dhe përçarje, pasi NATO-ja duhet të gjejë përsëri frymën e harmonisë, që e ka bërë atë të jetë për 70 vjet një mburojë gjigante dhe solidariteti, ishte apeli i kryeministrit britanik Boris Johnson në samitin e 70-vjetorit në Uotford, në periferi të Londrës.
“Nëse NATO ka një moto, ajo është: një për të gjithë dhe të gjithë për një”, inkurajoi Johnson në stilin e një prijësi luftarak.
Ndër të tjera kryeministri Johnson citoi nenin 5 si parimin thelbësor të aleancës, që thotë se “nëse dikush nga ne sulmohet, ne të gjithë do të shkojmë në mbrojtje të tij”.
Johnson së bashku me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, bënë thirrje për një “angazhim të fortë drejt një organizate që tani mbron 29 vende dhe gati një miliard njerëz”.
“Fakti që sot jetojmë në paqe tregon forcën e një pohimi të thjeshtë që është në zemër të kësaj aleance. Për sa kohë që ne jemi të bashkuar, askush nuk mund të shpresojë të na mposhtë dhe prandaj askush nuk do të fillojë një luftë me ne”, përfundoi kryeministri britanik./