Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, është duke shkuar drejt një krize të re kushtetuese pas këmbënguljes se nuk do të ketë shtyrje të Brexit-it. Ai e bëri këtë zotim vetëm disa orë pasi avokatët e qeverisë thanë se ai do ta respektonte ligjin dhe do të kërkonte shtyrje të Brexit-it, nëse dështon për të arritur marrëveshje.
Ai shkroi të premten në Twitter: “Marrëveshje e re ose pa marrëveshje, por as shtyrje”, duke e përsëritur qëndrimin që e kishte dhënë gjatë fjalimit të së mërkurës në konferencën e Partisë Konservatore, e cila u mbajt të mërkurën në Mançester.
Negociatat për Brexit-in kanë ngecur pasi Bashkimi Evropian e kundërshtoi kërkesën e Britanisë që bisedimet të shpeshtohen gjatë fundjavës. Tashmë është e qartë se kryeministri nuk do të arrijë t’i përmbahet afatit për arritje të marrëveshjes.
Burimet brenda BE-së thonë që ende ka dyshime për atë se a ka bazë për negociata të tilla, kur kryeministri Johnson ka këmbëngulur që të ketë kontroll doganash në kufirin mes Republikës së Irlandës, e cila është pjesë e BE-së, dhe Irlandës Veriore, e cila është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar dhe pritet të shkëputet nga BE-ja.
Afati i fundit për largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian është data 31 tetor. Sidoqoftë, marrëveshja e ish-kryeministres May për këtë çështje nuk është miratuar nga deputetët britanikë, ndërsa kryeministri i tanishëm është zotuar se nuk do të kërkojë afat shtesë për ndarjen nga BE-ja, shkruan “The Guardian”