Nga Jola Hysaj
Marr shkas nga reagimet, telefonatat dhe shumë mesazhe që kam marrë gjatë ditës së djeshme, por edhe sot, në lidhje me denoncimin e bërë dje nga unë në rrjetet e mia sociale;
Pikë së pari, ajo çka unë kam dashur të denoncoj është fenomeni në të cilin BE-ja ka alokuar fonde për: rehabilitimin, rindërtimin, rikonstruksionin dhe riparimin e 18 shkollave, kopshteve dhe çerdheve të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 për qytetin e Durrësit e jo vetëm. Sot jemi në vitin 2024, dhe ende nuk është bërë asgjë me një pjesë të mirë të tyre. Një buxhet prej 75 milionë eurosh i është dhënë bashkive përkatëse nga projekti EU4Schools. Në këtë projekt është përfshirë edhe mirëmbajtja e këtyre shkollave.
Rasti i shkollës “Kushtrimi i Lirisë” u bë publik si shembulli konkret i asaj çka ndodh në të gjitha shkollat, kopshtet dhe çerdhet e Shqipërisë, fakt i cili u përforcua edhe nga emisioni STOP nëpërmjet rasteve të paraqitura prej tyre në qytetin e Tiranës, përsa i përket “pagesave vullnetare”.
I kthehemi fenomenit të Durrësit, ku jo më larg se më 19.09.2024, nga Bashkia është bërë me dije projekti për “riparimet” që do t’i bëhen kësaj shkolle pikërisht në fillim të vitit shkollor. Në datë 19 shtator kanë pasur konsultimin për idenë dhe projektin!
Zero para nga buxheti i Bashkisë për këtë, do e bëhet i gjithë investimi nga Bashkimi Evropian.
Pyetjet që lindin janë:
• A nuk i mjaftuan Bashkisë Durrës muajt Qershor, Korrik, Gusht për të bërë “implementimin” e këtij “riparimi”?
• Përse duhet të kalojnë nxënësit në 1/3 e vitit shkollor në një godinë tjetër dhe mësimi të zhvillohet në dy turne?
• Përsa i përket Bashkisë Durrës, a nuk i dalin kësaj bashkie fondet që merr nga taksimi i përkohshëm i biznesit të madh për të paguar “rojet” e shkollave?
• A janë në organigramën e shkollave dhe a nuk ka një buxhet të vetë Bashkisë për nevojat e shkollave?
• Pse duhet ta ulni dhe denigroni figurën dhe misionin fisnik të mësuesit apo dhe të një nënpunësi shteti duke i detyruar këta të fundit të kthehen në “kërkues lëmoshe” ndaj prindërve të këtyre fëmijëve?
• Pse duhet që këta mësues, përveç ngarkesave të punës së tyre, duhet të marrin ngarkesën e pikërisht një udhëzimi të 2007, kur ju nuk keni lënë ligj të Arsimit parauniversitar dhe pasuniversitar pa futur duart?
• Në 2007 nuk ekzistonte një fond për projekte si EU4Schools në mbështetje kaq të madhe ndaj arsimit. Sot, në 2024, që ka mbi 5 vite që janë alokuar këto fonde, ju sërish jeni të paaftë për të menaxhuar fondet apo s’qëndroni dot pa menaxhuar vjedhjet?
• Pse duhet të jemi gjithmonë ne xhepat e atyre të cilëve gati janë shqyer nga vjedhjet?
• A mund të bëjë transparencë Bashkia Durrës? Apo do t’i inaugurojë të gjitha shkollat, kopshtet dhe çerdhet 30 ditë para zgjedhjeve si gjithmonë?