Nga Jola Hysaj
Në një vend ku hipokrizia dhe frika kanë zbehur dinjitetin dhe njerëzillëkun, lufta e ftohtë bëhet edhe më e zjarrtë. Për të ndryshuar sistemin duhet guxim, forcë dhe shpresë-një shpresë që duket e venitur në sytë e të rinjve, të lodhur nga premtimet boshe dhe zhgënjimet e vazhdueshme.
Por ndryshimi nuk ndodh duke pritur me duart nga qielli. Ai kërkon rezistencë, qëndrueshmëri dhe sakrificë. Kërkon përkushtim, besnikëri dhe bashkim. Ky është momenti për të vlerësuar mbi çdo interes tjetër familjen tuaj, dinjitetin dhe mundin tuaj.
Më 11 maj, mendoni: Ku po shkon ky vend? A duhet të vazhdojë gjithçka njësoj? A është koha për të mposhtur frikën dhe për të marrë frymë lirisht? Për të thënë të vërtetën hapur-së pari vetes, pastaj fëmijëve, nipërve dhe mbesave?
Prej vitesh dëgjojmë thirrjet për figura të reja, për një ndryshim të vërtetë. Tani është momenti! Më 11 maj, jepini një shans njerëzve si ju!