Kryeministri britanik, Boris Johnson do të prezantojë të premten marrëveshjen e tij të Brexit në Dhomën e Komuneve duke i hapur rrugën procesit për miratimin parlamentar me qëllim që Britania e Madhe të dalë nga Bashkimi Europian në fund të janarit, njoftoi sot zëdhënësi i tij.
“Ne parashikojmë të fillojmë procesin para Krishtlindjeve dhe ne do ta bëjmë këtë konform me Kushtetutën në bashkëpunim me presidentin e Dhomës së Ulët të Parlamentit britanik, që do të zgjidhet të martën, deklaroi i njëjti burim.
I zgjedhur masivisht me premtimin e tij për të realizuar Brexit-in më 31 janar, kryeministri konservator, Boris Johnson bëri thirrje për bashkim në një Britani të Madhe të ndarë për daljen nga Bashkimi Europian.
“U kërkoj të gjithëve të kthejnë faqen dhe të fillojnë të shërojnë plagët, pas më shumë se tre viteve krizë që prej referendumit të vitit 2016 që vendosi Brexit-in”, deklaroi ai në një fjalim të shkurtër para 10, Downing Street.