Jordania e Britania kanë shprehur së fundmi kundërshtimin e tyre ndaj planit të Izraelit për të aneksuar pjesë të pushtuara të territoreve palestineze, duke thënë se akti rrezikon paqen dhe shkel ligjin ndërkombëtar.
Duke folur në një video-konferencë me liderë të Kongresit amerikan mbreti jordanez Abdullah II paralajmëroi se shtytja e Izraelit për aneksimin kërcënon stabilitetin në Lindjen e Mesme.
“Çdo veprim unilateral i Izraelit për aneksim tokash në Bregun Perëndimor është i papranueshëm dhe cënon mundësinë e arritjes së paqes dhe stabilitetit në rajon”, tha ai.
Sipas deklaratës së pallatit mbretëror, Abdullah kishte shtuar se paqja vjen vetëm me krijimin e një “shteti palestinez sovran e të pavarur”. “Ne besojmë se Izraelit duhet të tërhiqet nga tokat e pushtuara gjatë Luftës 6-Ditore të 1967”, tha Abdullah.
Ndërsa më herët edhe kryeministri britanik Boris Johnson tha se planet e aneksimit shkelin ligjin ndërkombëtar.
I pyetur në parlament për sanksione të mundshme kundër Tel Aviv-it nëse vijon me planin e aneksimit të tokave palestineze, Johnson u përgjigj: “Besoj se ajo që është propozuar nga Izraeli është në shkelje të ligjit ndërkombëtar. Ne e kundërshtojmë dhe besojmë në zgjidhjen me dy shtete të konfliktit”.
Administrata e koalicionit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, kërkon të vendosë “sovranitetin” izraelit për kolonitë e reja të ndërtuara në Bregun Perëndimor dhe luginën e lumit Jordan, të cilat përbëjnë rreth 30 për qind të territorit të Bregut Perëndimor.