Kreu demokrat, Lulzim Basha reagoi pas deklaratës së ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli se do të jetë pjesë e partisë “Lëvizja për ndryshim”.
Basha deklaroi para gazetarëve se kushdo që i bën opozitë Edi Ramës dhe përpiqet ta rrëzojë nga pushteti, është i mirëpritur në frontin opozitar.
Në rast të kundërt, një parti opozitare që punon për të mbajtur në pushtet Ramën, Basha paralajmëroi se do të marrë përgjigjen që meriton.
“Nuk paragjykoj dhe nuk dua të paragjykoj asnjë që është në opozitë me Edi Ramën. Çdokush që bën të kundërtën, pavarësisht si apo sa mundohet ta fshehë, e kanë të pamundur ta fshehin sepse qytetarët e kuptojnë dhe nuk janë budallenj. Ftesa ime ka qenë dhe mbetet për këdo. Aq më tepër për individë brenda PD që kanë patur një jetë politike dhe kanë pasur vlerësimin e demokratëve. Kush ndihmon për largimin e Edi Ramës, është i mirëpritur. Kush përpiqet me apo pa maskë të zgjasë qoftë për një orë largimin e Edi Ramës, shqiptarët do t’u japin përgjigje.”
Astrit Patozi dhe Bindja Demokratike i kanë shpallur tashmë kundërshtarët në garën e 25 prillit dhe ato janë PS e PD së bashku me LSI. Tashmë që fushata ka nisur dhe formacionet në betejë kanë filluar të skicohen, Patozi e ka të qartë rrugën drejt 25 prillit.
“Ne synojmë të jemi forcë përcaktuese qeverisëse dhe për këtë do të bëjmë gjithçka mundemi që ti drejtohemi sidomos shqiptarëve të lirë dhe të panagzhuar politikisht të cilët duhet të refuzojnë një model të shëmtuar politik që është kryetarokracia, e cila përfaqësuesit më të denjë ka PS në pushtet dhe PD e LSI në opozitë”, tha ai për “Vizion Plus”.
Beteja e parë kundër asaj që Patozi e cilëson kryetarokraci është hapja e plotë e listave, pavarësisht Kodit Zgjedhor.
“Ne kemi marrë një vendim, i cili është i panegociueshëm dhe është i paapelueshëm. Që do të thotë secili prej nesh që merr një votë më shumë se tjetri, merr mandatin, duke filluar nga unë i pari e deri tek kandidati i fundit”, deklaroi Patozi për gazetaren Olta Blaceri.
Duke përcaktuar si kundërshtare, PS nga njëra anë dhe PD e LSI në anën tjetër, ajo që Astrit Patozi synon është krijimi i një fronti opozitar, duke ftuar të gjitha partitë e reja përfshi edhe lëvizjen e Jozefina Topalli për të garuar me një liste të përbashkët në 25 prill.
“Sigurisht i takon asaj që të shpalosë vizionin e vet apo se si e mendon ajo dhe të tjerët që mund t’i bashkohen asaj lëvizje Shqipërinë e së nesërmes. Ajo që na takon ne është që ne i urojmë rrugë të mbarë, i urojmë mirëseardhjen në fushën e betejës elektorale të 25 prillit. Ne inkurajojmë çdo forcë të re e cila është për ndryshimin dhe sigurisht këtu bën pjesë edhe lëvizja e zonjës Topalli.”
Patozi ka një përgjigje për të gjithë ata që e akuzojnë atë dhe zonjën Topalli për lëvizet politike që ata sot drejtojnë.
“Nuk kam asnjë sekondë kohë për të humbur me një mendësi staliniste e cila për fat të keq mbizotëron tek ajo që ka mbetur në PD”
Astrit Patozi e Jozefina Topalli nuk janë të vetmet figura të Partisë Demokratike, që do të garojnë në 25 prill, forcë të re ka krijuar Myslym Murrizi e të njëjtën gjë pritet të bëjë edhe Rudina Hajdari me nismën “Thurje”.