Në nderimin e 70 viteve mbretërim të monarkes më jetëgjatë në historinë e Britanisë së Madhe Elisabeta II, ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë organizoi një festë që bëri bashkë politikën shqiptare.
Pranë ambasadorit britanik në Shqipëri, Alastair King-Smith, ishte presidenti Ilir Meta, që përveç prezantimeve zyrtare e njohu atë edhe me pseudonimet e qeveritarëve.
Presidenti i zgjedhur Bajram Begaj u pa të shoqërohej më së shumti me socialistët të cilët i dhanë votën në kuvend.
Ky organizim riktheu në publik ish-kryedemokratin Lulzim Basha, prezenca e të cilit duket se vuri në siklet të komanduarin për t’i zënë vendin, Enkelejd Alibeajn.
Takimi u hap me fjalën e ambasadorit britanik. “Kur Mbretëresha nisi rrugëtimin e saj premtoi se do t’ia kushtonte të gjithë jetën shërbimit ndaj njerëzve të saj dhe ajo e ka bërë plotësisht këtë. Kjo vlerë e Mbretëreshës është një shembull për të gjithë ne dhe për mua është pikë referimi në çdo aksion dhe punës time në Shqipëri”, ishin fjalët e tij.
Në shembullin e shërbimit të qytetarëve trokitën gotat Taulant Balla i PS me ish-aleaten Monika Kryemadhi, ndërsa shefja e LSI kishte një merak lidhur me Shpëtim Idrizin.
Në këtë organizim i pranishëm ishte edhe i dërguari i Posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach që fokusin e vendosi tek pasojat e agresionit rus mbi Ukrainën. “Këtë vit mbretëresha, ne dhe ju u tronditem nga situata tragjike e popullit te Ukrainës. Pikërisht për këtë para jush president, ministra të vendit dua t’jua falënderoj për rolin që Shqipëri ka luajtur në Këshillin e Sigurisë”, theksoi ai.
Nga radhët e politikanëve vihej re mungesa e kryetarit të PD, Sali Berisha.