Ish-presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, e cilësoi si një gabim bllokimin francez për hapjen e negociatave, teksa ka shtuar se Emmanuel Macron nuk do ta bllokojë në mënyrë përfundimtare hapjen e negociatave me këto dy vende.
Duke folur në një intervistë ekskluzive për Euronews, Juncker shprehet se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut arritën të plotësonin kushtet e paracaktuara nga Komisioni Europian dhe se refuzimi për çeljen e negociatave në tetor të 2019, nuk duhej të ndodhte.
Sipas ish-kreut të Komisionit, Bashkimi Europian në aspektin ndërkombëtar duhet të luajë një rol të besueshëm.
“Unë nuk e di a është Macron gati të ndryshojë pikëpamjet e tij. Por ajo që mendoj për atë moment të veçantë të historisë europiane është që ishte një sinjal i keq dhe si i tillë një gabim madhor bllokimi i negociatave për zgjerim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Unë kam negociuar me këto dy vende kaq herë dhe ata bënë atë që iu kërkuam ne të bënin. Nëse Bashkimi Evropian do të luajë një rol në arenën ndërkombëtare duhet të jetë i besueshëm.
Dhe kur ne nuk i mbajmë premtimet tona gjërat lëvizin në një drejtim të keq. Por ky është një proces që po vijon dhe nuk mendoj se në fund të ditës Franca do të bllokojë në mënyrë përfundimtare negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, tha Juncker.
I pyetur nëse ndan edhe ai vlerësimin e Kancelares Merkel, e cila thuhet se në nëntorin e kaluar kritikoi Macronin për stilin e tij të një politike përçarëse, Juncker tha: “Jo. Unë nuk kam admirim, por kam respekt për Presidentin Macron, i cili po punon mirë. Ai është Presidenti i parë francez në disa dhjetëvjeçarë që është hapur pro-evropian, dhe kjo është një gjë e mirë. Dhe unë nuk e kritikoj stilin e tij politik. Ne kemi kontrolluar gjithnjë nëse po notonim apo jo në të njëjtin drejtim, dhe është ajo që kemi bërë. Edhe propozimet që bëra gjatë paraqitjes së situatës së BE-së në shtatorin e vitit 2017 dhe fjalimi që ai bëri në Sorbonë janë pak a shumë të njëjtë.”
I pyetur nëse mund t’ia lejojë Europa vetes të paralizohet politikisht nga mungesa e udheheqësisë gjermane nga ana e Merkel, Juncker tha se, “jo pasi kjo është përshtypja që kanë njerëzit dhe gazetarët, që Merkel është e mbaruar, dhe nuk është ashtu. Unë kam marrë pjesë në të gjitha takimet e Këshillit Evropian ku kam diskutuar politikat e BE-së me homologët aty dhe kurrë s’kam dëgjuar ndonjë fjalë që mund të tregonte se Merkel ka humbur influencën e saj. Ajo nuk e ka humbur”.
Ai shtoi se, “mendoj se miqësia franko-gjermane është thelbësore. Por kurrë s’kam menduar se miqësia mes Gjermanisë dhe Francës, megjithëse thelbësore, por ndonjëherë edhe si një poemë, është e mjaftueshme për të përforcuar integrimin e brendshëm evropian. Ata kanë nevojë për të tjerët dhe e dinë këtë gjë. Ata nuk e kanë pranuar kurrë këtë gjë por unë e di që ata e dinë, për kaq shumë arsye, se atyre iu nevojiten edhe të tjerët”.